Moderatorja e njohur dhe ish-politikania Grida Duma ka ndarë me publikun një rrëfim të thellë në emisionin “Goca dhe Gra”, ku ka zbuluar anët e saj më të ndjeshme, përjetimin e vetmisë dhe sfidat që ka hasur për t’u perceptuar ndryshe nga imazhi i saj i fortë.
Gjatë bisedës me Ema Andrea, Duma u pyet për dobësitë e saj, dhe ajo u përgjigj me një reflektim të thellë, duke theksuar se dobësia e saj është gjithashtu forca më e madhe që ajo ka. Kjo e bën atë të ndjehet e vetmuar në disa situata, pasi të tjerët shpesh nuk arrijnë ta kuptojnë kur ajo është duke kaluar një moment të vështirë.
“Dobësia ime është forca ime. Nuk ka nevojë të jem gjithmonë kaq e fortë. Të qenit gjithmonë e fortë largon njerëz nga vetja ime. Më mungon empatia e të tjerëve, dhe ndonjëherë ndjehem e vetmuar sepse askush nuk e kupton dhimbjen time”, shprehet ajo.
Përgjigjja e saj ndaj pyetjes nëse e ka paguar lirinë me vetmi ishte e qartë dhe e sinqertë. Duma pranoi se çdo herë që dëgjon për suksesin e saj, ajo ndjen se ka bërë një zgjedhje të vështirë për të ruajtur identitetin e saj.
“Absolutisht po. Kur më thonë se kam bërë diçka virale, unë u them: ‘Le të jetë, nuk më merr njeri më sysh, sepse e kam paguar unë koston e vetes’”, tha ajo me sinqeritet.
Duma e pranon se dëshiron të jetë më e butë me veten dhe të mos e përjetojë çdo situatë si një detyrim për të qenë gjithmonë e fortë. Ajo e di se ky është një proces i gjatë dhe i vështirë, por është e vendosur të fillojë nga vetja e saj.
“Padyshim që do të doja shumë të ndryshoja këtë aspekt të personalitetit tim. Njerëzit përreth janë mësuar të më shohin në një mënyrë të caktuar, dhe ndryshimi duhet të fillojë nga brenda”, shprehet ajo.
Në një moment tjetër, Duma ndau se një nga situatat më të vështira për të është kur shfaq dobësitë e saj, pasi ajo ndjen se njerëzit nuk e pranojnë këtë anë të saj. “Kur je e dobët, nuk ta pranojnë atë dobësi dhe ai është momenti më vetmitar”, tha ajo.
Në përfundim, moderatorja theksoi se jeta e saj është ndërtuar mbi përgjegjësitë dhe detyrimet, duke pranuar se ende nuk ka arritur të gjejë hapësirën për të bërë gjithmonë atë që dëshiron. “Unë e dua atë që duhet, por ndonjëherë ndjej se nuk është nevoja të jetë gjithmonë në të njëjtën trajektore. Dëshiroj të bëj vetëm atë që dua, pa u ndier e detyruar”, përfundoi Grida Duma.
