TB
Një skemë e rëndë mashtrimi, e cila ka shfrytëzuar humanizmin e qytetarëve dhe mërgatës, është zbuluar dhe goditur nga organet e drejtësisë në Gjilan.
Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale të mashtrimit. Ky individ, i cili pretendonte se ishte i sëmurë rëndë, kishte arritur të grumbullonte mbi 189 mijë euro.
Endrit Azemi, i dyshuari i arrestuar, kishte sajuar një histori të rreme që nga data 9 nëntor e këtij viti. Ai pretendonte se vuante nga “Leukemia Akute”, duke kërkuar ndihmë financiare për trajtim mjekësor.
Përmes një fushate në platformën online “GoFundMe”, ai kishte bërë thirrje publike për ndihmë, duke i kërkuar qytetarëve dhe bashkatdhetarëve në diasporë që ta ndihmonin financiarisht.
Me këtë mashtrim, ai kishte arritur të grumbullonte një shumë marramendëse prej 189 mijë e 206 euro e 8 centë. Megjithatë, pas verifikimeve të hollësishme të historikut të tij shëndetësor, është zbuluar se ai nuk vuante fare nga sëmundja që pretendonte.
Ky rast ka nxjerrë në pah nevojën për një mbikëqyrje më të madhe të fushatave të ndihmës, për të parandaluar abuzimet e tilla që keqpërdorin besimin e qytetarëve. Organet kompetente po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht këtë çështje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.