Ish-vjehrra e Arlinda Zekajt del para drejtësisë: Ajo mohon çdo përgjegjësi për vrasjen

Nurije Sylaj, ish-vjehrra e Arlinda Zekajt, është arrestuar dhe ka dalë nga gjykata me pranga në duar, duke u përpjekur të mbulojë fytyrën nga kamerat e mediave.

Gjatë një interviste të shkurtër me gazetarët, ajo u pyet nëse ndjehet fajtore për vrasjen e Arlindës, e cila dyshohet se është kryer nga djali i saj, Albert Sylaj. Nurije e mohoi çdo lloj përgjegjësie, duke theksuar se nuk ndihet fajtore.

“Nuk ndihem fajtore, dihet kush e ka kryer,” u shpreh ajo me siguri, duke lënë të kuptohet se akuzat ndaj saj janë të pabaza.

Prokuroria ka ngritur akuza të rënda ndaj Nurije Sylajt, duke e akuzuar për ndihmë në përgatitjen dhe lehtësimin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Ajo dyshohet se e ka fotografuar dhe incizuar vazhdimisht viktimën, duke ndjekur lëvizjet e saj.

Hetimet e Prokurorisë sugjerojnë se Nurije dhe Driton Sylaj kanë luajtur një rol aktiv në kryerjen e vrasjes, ndërsa Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi dyshohet se e kanë ndihmuar Albert Sylajn pas aktit të dhunshëm.

Në aktakuzën e Prokurorisë, theksohet se Nurije Sylaj ka vepruar me dashje për të ndihmuar në kryerjen e vrasjes së dyshuar nga djali i saj, Albert.

Prokuroria pretendon se ajo ka filluar të incizojë dhe fotografi Arlindën që nga 22 tetori 2026, kur ajo u kthye për të jetuar në shtëpinë e saj familjare. Të dhënat e mbledhura nga Nurije, përfshirë fotografitë dhe videot, janë ruajtur në telefonin e saj mobil.

Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, i cili dyshohet për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”. Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për Nurije Sylajn.

Nga Rubrika