Kukulla Barbie e re e Mariah Carey: Një festë për Krishtlindje

Mattel ka zbuluar një kukull të re Barbie, e cila është frymëzuar nga legjenda e muzikës, Mariah Carey. Kjo kukull e veçantë është një homazh për albumin e saj të njohur “Merry Christmas”, i publikuar në vitin 1994, dhe për këngën e saj ikonike “All I Want for Christmas Is You”.

Pamja e kukullës është e frymëzuar nga kopertina e albumit, ku Carey shfaqet me një kostum të kuq kadifeje, i zbukuruar me detaje të bardha prej gëzofi. Rripi i zi dhe çizmet e zeza me taka të larta e plotësojnë këtë pamje festive dhe elegante.

Mes aksesorëve të saj, kukulla përmban një varëse argjendi, unazën e njohur me flutur të këngëtares dhe një mikrofon në ngjyrë argjendi. Produkti do të vijë në një kuti të veçantë për koleksionistë, e cila është dekoruar me një peizazh dimëror dhe inicialet e Mariah Carey-t.

“Krishtlindjet kanë qenë gjithmonë një periudhë magjike për mua, ndaj është jashtëzakonisht e veçantë që Barbie feston këtë sezon me mua,” shprehet Carey me emocion.

Ajo gjithashtu theksoi se ishte një kënaqësi të shihte stilin e saj festiv të shndërruar në një kukull Barbie. Këngëtarja shpreson që kjo kukull t’u sjellë gëzim dhe atmosferë festive fansave të saj këtë vit.

Siç njofton revista “Variety”, kjo është kukulla e dytë Barbie e krijuar nga Mattel në nder të Mariah Carey. Kukulla e parë u prezantua në nëntor të vitit 2023 dhe u shit brenda 24 orëve, duke risjellë veshjen e saj nga videoklipi i “All I Want for Christmas Is You”, një fustan i kuq i ndezur me detaje të veçanta.

Angel Kent është dizajneri që ka krijuar të dyja kukullat, të cilat janë pjesë e linjës Black Label të Barbie-t, e dedikuar për modelet koleksionuese.

Albumi “Merry Christmas”, i publikuar më shumë se tri dekada më parë, përmban një kombinim të këngëve tradicionale festash dhe materialeve origjinale. Vokali i fuqishëm i Carey-t dhe ndikimet e saj nga gospel-i, soul-i dhe muzika klasike e Krishtlindjeve e bëjnë këtë album të paharrueshëm.

“All I Want for Christmas Is You”, e shkruar nga Mariah Carey dhe Walter Afanasyev, vazhdon të jetë një nga këngët më të dashura të sezonit dhe një simbol i kulturës pop. Edhe këtë vit, ajo ka arritur të renditet e katërta në Billboard Hot 100, pas këngës “Last Christmas” të grupit Wham!.

Hape postimin origjinal

Nga Rubrika