E shtunë, 9 Nëntor, 2024
2.6 C
Pristina

Kurti nga Brukseli: Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të shlyhen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Masakrën në Studime të Vushtrrisë, teksa ka thënë se krimet e luftës nuk parashkruhen e as nuk vjetërsohen.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka deklaruar se gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet asnjëherë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë.

“Nё ditёt e para tё muajit maj 1999, forcat serbe dogjën fshatrat e Vushtrrisë dhe dëbuan me dhunë banorët. I urdhëruan tё largohen drejt Shqipërisë. Më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nxorën nga kolona dhe i pushkatuan 116 civilë shqiptarë. Ekzekutuan fëmijë para syve të prindërve, vranë të rinj e pleq, e edhe gra shtatzëna. Familjes Gërxhaliu ia vranë 36 anëtarë, nga mosha 85 vjeç deri në 5 vjeç”.

“Në këtë 24 vjetor përkujtojmë martirët e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë. E kaluara jonë është vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Gjaku i derdhur për liri nuk shlyhet kurrë, siç nuk mund të shlyhen krimet e Serbisë në Kosovë”, ka shkruar kreu i ekzekutivit.

Ai tutje i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë në Kosovë që të veprojë për ndriçimin e së vërtetës.

“Dënime për kriminelët e luftës dhe drejtësi për viktimat. Krimet e luftës nuk parashkruhen as vjetërsohen. Vuajtjet e popullit tonë janë të njoma përherë. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e lirisë!”, ka përfunduar Kurti.

Ndryshe, Kurti ndodhet në Bruksel pasi këtë të martë pritet të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, takim ky i pari i nivelit të lartë, pas atij të Ohrit ku u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes.

Takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet dy vendeve./Telegrafi/

Nga Rubrika