Adelina Hasani mbyll një kapitull të rëndësishëm dhe lë hapësirë për të ardhmen

Një ndryshim i rëndësishëm ka ndodhur në ekranet kosovare, pasi Adelina Hasani ka konfirmuar se nuk do të jetë më pjesë e emisionit “SOL”, duke përfunduar kështu një kapitull të rëndësishëm që zgjati më shumë se dy vite.

Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit e saj në Instagram, moderatorja u pyet nëse do të vazhdonte me formatin e njohur, dhe përgjigjja e saj ishte e qartë dhe e prerë.

“Jo, në sezonin e ri nuk do jem pjesë e SOL-it”, ka deklaruar Hasani, duke lënë të kuptohet se ky vendim erdhi pas një periudhe reflektimi.

Ajo e përshkruan “SOL” si një projekt që ka pasur një rëndësi të veçantë për të, duke theksuar lidhjen emocionale dhe përkushtimin që ka investuar në këtë format televiziv.

“Kam krijuar me shumë dashuri e përkushtim dhe jam jashtëzakonisht krenare që arrita të hy në familjet shqiptare dhe të thyj rekorde shikueshmërie”, ka thënë ajo, duke shprehur mirënjohjen për suksesin e arritur.

Hasani ka sqaruar se vendimi për t’u larguar nga “SOL” është marrë për arsye personale dhe profesionale, por nuk ka zbuluar detaje të tjera për projektet e saj të ardhshme. Ajo ka falënderuar publikun dhe ekipin që e ka mbështetur gjatë kësaj periudhe.

Rrugëtimi i Adelinës në Klan Kosova filloi në shkurt të vitit 2024, kur “SOL” debutoi si një nga projektet më ambicioze të fundjavës. Formati përfshinte mbi gjashtë orë transmetim dhe shtatë rubrika të ndryshme, me Hasanin si prezantuese dhe autore.

Ardhja e saj në Klan Kosova ishte një hap i rëndësishëm pas një periudhe suksesi në ATV. Megjithatë, largimi nga “SOL” nuk ishte e vetmja çështje për të cilën ndjekësit kërkuan përgjigje.

Pas konfirmimit të Jonida Vokshit se nuk do të jetë pjesë e edicionit të pestë të “Big Brother VIP Kosova”, emri i Adelinës është përmendur si një mundësi për moderimin e këtij spektakli. Vokshi u largua pas katër edicionesh radhazi me Alaudin Hamitin.

Kur u pyet nëse do të pranonte të moderonte BBVK, Adelina e mbylli këtë temë me një përgjigje të qartë. “Shumë pyetje m’paskan ardhë për BBVK, po me këtë po e mbylli, se besoj që pak a shumë e merrni përgjigjen të gjithë”, ka shkruar ajo, duke i drejtuar ndjekësit te Alaudin Hamiti dhe Olsa Muhameti për çdo informacion lidhur me formatin.

Ajo që mbetet e paqartë është projekti i saj i ardhshëm pas “SOL”. Pas një periudhe ku ka qenë një nga figurat më të njohura të ekranit kosovar, largimi i saj pa zbuluar destinacionin e radhës e bën lëvizjen e saj të ardhshme edhe më intriguese. /Prive By Liberta Spahiu

Nga Rubrika