Alketa Vejsiu ka ndarë me sinqeritet historinë e saj të dashurisë gjatë një interviste televizive, duke zbuluar arsyet pse ka vendosur ta mbajë jetën e saj familjare larg syve të publikut.
Moderatorja, e cila zakonisht është e rezervuar përsa i përket jetës së saj personale, u përball me pyetje të drejtpërdrejta nga Luiz Ejlli rreth identitetit të saj jashtë ekranit.
“Si e prezanton veten kur shkon diku dhe nuk të njohin?”, e pyeti Luizi, duke e sfiduar të flasë për veten.
Pas një komenti humoristik nga Ejlli, i cili tha se ai prezantohet si “burri i Kiarës”, Alketa e pranoi se do të përdorte një qasje të ngjashme.
“Do të them: jam gruaja e Ardianit, një burrë i jashtëzakonshëm që gjithmonë më ka trajtuar si një grua të veçantë, mamaja e Lionelit dhe Nikollës, dhe Alketa, një vajzë e mirë që bën televizion herë pas here,” tha ajo me një buzëqeshje.
Kur u pyet nëse ndien xhelozi për bashkëshortin, ajo u përgjigj me siguri:
“Nuk jam, sepse ai nuk më jep asnjë shkak për këtë.”
Alketa shpjegoi se vendimi për të mos e ekspozuar bashkëshortin në rrjetet sociale vjen nga dëshira për të respektuar privatësinë e tij.
“Respektoj dëshirën dhe lirinë e tij, pasi ai nuk është pjesë e botës së showbizit. Kështu ka qenë që në fillim dhe unë e respektoj këtë,” tha ajo, duke theksuar rëndësinë e lirisë në marrëdhënien e tyre.
“U njohëm kur unë isha ende nën 20 vjeç,” zbuloi Alketa, duke treguar se marrëdhënia e tyre ka filluar në një moshë shumë të re.
“Ai ishte 33 vjeç, një djalë i ri dhe i pjekur, i cili e pa potencialin tim dhe nuk donte që planet tona familjare ta pengonin rrugën time,” shtoi ajo.
Ajo theksoi se marrëdhënia e tyre është e fortë dhe e konsoliduar, duke mos ndjerë nevojën për të provuar ose ekspozuar lidhjen e tyre në publik.
“Ne kemi një marrëdhënie të stabilizuar që nuk ka nevojë për teste,” tha Vejsiu, duke theksuar se familja është prioriteti i tyre më i madh.
Luiz Ejlli e pyeti gjithashtu se si e di që bashkëshorti nuk e tradhton. Alketa u shpreh se kjo çështje nuk e shqetëson aspak.
“Nuk e kam këtë shqetësim. Është një marrëveshje e heshtur mes dy njerëzve që ndajnë projekte të mëdha së bashku,” theksoi ajo.
“Projekti më i rëndësishëm është familja, dhe ne kemi disa ëndrra të përbashkëta që duam t’i realizojmë,” shtoi moderatorja.
Alketa theksoi se ajo nuk ndien nevojën të fokusohet në gjëra jashtë rrethit të saj familjar.
“Kam çdo ditë para syve pikturën e jetës time. Nuk merrem me askënd që është jashtë orbitës sonë,” përfundoi ajo.
Në përmbyllje, Alketa e përshkroi veten me një metaforë të veçantë:
“Mendoj se i përmbush të gjitha kriteret për të qenë një grua që mund të qëndrojë gjatë në kohë, si një këngë që nuk del kurrë nga moda.”