Një situatë e papritur ka tronditur botën e mediave sociale, duke e detyruar influencerin e njohur, Almira Azemi, të reagojë me një mesazh të fortë që ka shkaktuar shumë diskutime.
“Kam bërë gjithçka që kam pasur në dorë, por as kjo nuk ka mjaftuar”, shprehet ajo, duke e shprehur hapur zhgënjimin e saj për situatën e krijuar.
Çfarë ka ndodhur konkretisht? Almira ka ndarë një kolazh fotografish, duke zbuluar një realitet shqetësues që po ndodh në botën e mediave sociale.
Ajo ka publikuar imazhe origjinale përkrah atyre të manipuluara me inteligjencë artificiale, ku paraqitet në situata intime që nuk janë reale.
Me këtë krahasim, Almira ka dashur të ilustrojë se sa lehtë mund të falsifikohet pamja e dikujt, duke censuruar pjesët e papërshtatshme për të mbrojtur dinjitetin e saj.
“Pas çdo fotografie, çdo thashethemi dhe çdo titulli qëndron një njeri i vërtetë, me ndjenja”, thekson ajo, duke kërkuar respekt për privatësinë e saj.
Por ajo nuk është e vetmja që po përballet me këtë problem. Edhe Hati, një tjetër influencer, ka qenë subjekt i fotografive të falsifikuara, të cilat vazhdojnë të mashtrojnë një pjesë të publikut.
Kujtojmë se vitin e kaluar, Almira u tërhoq përkohësisht nga rrjetet sociale për të kërkuar qetësi për veten, duke treguar se sa e rëndësishme është të ruajmë shëndetin mendor në këtë epokë digjitale.
E ndërsa teknologjia vazhdon të evoluojë, krijimi i këtyre imazheve po bëhet gjithnjë e më i lehtë, por bindja e njerëzve se ajo që po shohin nuk është reale, po bëhet një sfidë e madhe.