Angela Martini reagon pas kritikave: Nuk u konvertova, nuk e kam shitur shpirtin

Modelja e njohur shqiptare, Angela Martini, ka dalë në mbrojtje të vetes pas kritikave të shumta që ka marrë për një intervistë të fundit, ku përmendi interesimin e saj për Kabalën.

Martini, përmes postimeve në platformat sociale, theksoi se nuk ka kaluar në një fe tjetër dhe se nuk është bërë pjesë e ndonjë grupi sektar. Ajo shpjegoi se pasioni i saj për Kabalën ka filluar që nga viti 2012 dhe se e ka studiuar atë me përkushtim për rreth gjashtë vite.

“E kuptoj që emocionet janë të forta, por nga një fragment 40-sekondësh është krijuar një histori e tërë”, theksoi ajo në reagimin e saj.

Martini sqaroi se ky rrugëtim nuk ka nisur në vitin 2026 për të tërhequr vëmendjen e publikut.

“Nuk u konvertova, nuk ndryshova fenë, nuk iu bashkova ndonjë sekti dhe as ‘shita shpirtin tim’”, u shpreh ajo, duke e bërë të qartë që interesi i saj është thjesht një eksplorim shpirtëror.

Modelja gjithashtu kundërshtoi mendimin se studimi i Kabalës do të thotë automatikisht konvertim në Judaizëm.

“Të studiosh Kabalën nuk do të thotë të konvertohesh në Judaizëm, ashtu si eksplorimi i një mësimi shpirtëror nuk përcakton të gjithë identitetin e një personi”, theksoi ajo, duke e bërë të qartë që identiteti i saj është më kompleks se kaq.

Angela Martini përmendi se rrugëtimi i saj shpirtëror përfshin gjithashtu astrologjinë, Meditimin Transcendental dhe mësimet e Paramahansa Yoganandës, duke theksuar se interesi i saj për fuqinë e mendjes është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e këtij procesi.

Ajo shprehu shqetësimin se një fragment i shkëputur mund të krijojë një perceptim të gabuar për një person, duke thënë: “Ironia është se sa shpejt u krijua një perceptim i tërë nga vetëm 40 sekonda”. Martini inkurajoi njerëzit të vënë në dyshim atë që dëgjojnë dhe të kërkojnë vetë të vërtetën.

Interesi i saj për Kabalën u bë publik përmes një videoje në rrjetet sociale, ku ajo ndau se e kishte zbuluar këtë traditë në vitin 2012 dhe se e kishte studiuar me përkushtim për gjashtë vite.

Nga Rubrika