Arjan Konomi ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me marrëdhënien e tij me Top Channel, duke zbuluar një përplasje që ka pasur ndikim të rëndësishëm në karrierën e tij televizive.
Ish-opinionisti i emisionit “Për’puthen” sqaroi se personi që ai kishte përmendur më parë nuk ishte Sara Hoxha, duke theksuar se nuk kishte informacion për ndonjë qëndrim të saj dhe se nuk dëshiron t’i atribuojë asaj përgjegjësi për situatën e krijuar.
Konomi e drejtoi reagimin e tij ndaj Steliana Selmanit, zëvendës-CEO të Top Channel, e cila sipas tij, e kishte kontaktuar pas komenteve që ai kishte bërë për Linda Ramën. Ai pretendon se gjatë bisedës, Selmani e akuzoi për bullizëm ndaj një gruaje.
“Ke bullizuar një femër. Nuk i flitet ashtu një femre”, citoi Konomi nga biseda, duke shpjeguar se kritikat ishin të lidhura me mënyrën se si ai kishte komentuar Linda Ramën pas një incidenti në Vuno.
Por, sipas Konomit, biseda nuk përfundoi aty. Ai pretendon se Selmani i kishte bërë të qartë se, si imazh i Top Channel, ai nuk mund të shprehte mendime politike ose të merrte pjesë në protesta.
“Je imazhi i Top Channel-it dhe nuk mund ti të shprehësh bindje dhe gjëra politike. Nuk mund të marrësh pjesë në protesta”, ka thënë ai, duke cituar fjalët e Selmanit.
Konomi e kundërshtoi këtë qasje, duke argumentuar se emisioni ku ai ishte pjesë kishte për qëllim të promovonte dashurinë dhe jo politikën. Ai shprehu shqetësimin se bashkëpunimi me televizionin mund të kishte përfunduar, duke theksuar se koha e njoftimit për situatën ishte e papërshtatshme.
“Po ta dija kështu që në mes të beharit, do kisha bërë plane të tjera… tani në fund të sezonit, ku çdo gjë është mbyllur, mbetem i papunë”, shprehu ai shqetësimin e tij.
Konomi gjithashtu publikoi një audio, të cilën e prezantoi si përgjigjen e Steliana Selmanit ndaj pakënaqësisë së tij. Në audio, dëgjohet një zë që shpjegon se vendimi për Konomin kishte të bënte me situatën e tij dhe me kërkesat për “Për’puthen”.
“Fjalën ‘mbyll buçën’ nuk e thashë fare në kontekstin që do ta marrësh ti. Ta kam thënë në kontekstin konfidencial, miqësor dhe humoristik”, dëgjohet në audion e publikuar nga Konomi, ndërsa në fund shtohet: “Nëse do që ta bësh këtë marrëdhënie armiqësore, bëje, Arjan”.
Konomi reagoi ashpër pas publikimit të kësaj pjese, duke akuzuar drejtuesen për mënyrën e komunikimit me punonjësit dhe duke pretenduar se vendimmarrja në televizion nuk lidhej me Lori apo Sara Hoxhën.
Deri në këtë moment, bëhet fjalë për versionin e ngjarjes të publikuar nga vetë Arjan Konomi dhe për audion që ai ka zgjedhur të bëjë publike. /Prive By LS