Udhëtimi i influencereve kosovare në Serbi ka shkaktuar një valë reagimesh të forta në rrjetet sociale, me Aulona Beselicën që ka vendosur të reagojë sërish për polemikat që e kanë shoqëruar këtë ngjarje.
Ngjarja filloi kur Aulona dhe Peoma Rudi udhëtuan drejt Beogradit për të marrë pjesë në një aktivitet promovues të brendit ndërkombëtar Maybelline. Kjo pjesëmarrje u shoqërua me kritika të shumta nga ndjekësit e tyre.
Dora Kryeziu, një tjetër influencere, ishte ndër të parat që shprehu kundërshtimin e saj për këtë zgjedhje, duke e bërë situatën edhe më të tensionuar.
Aulona, në reagimin e saj të parë, sqaroi se aktiviteti ishte organizuar nga një kompani me bazë në Kroaci dhe se Serbia ishte zgjedhur si destinacion për promovimin në Ballkanin Perëndimor. Ajo pranoi se nuk ishte e kënaqur me këtë zgjedhje, ndaj kishte vendosur të mos e promovonte.
Megjithatë, diskutimet dhe polemikat vazhduan të rriteshin. Në një reagim të ri në Instagram, Aulona theksoi se nuk kishte pasur asnjëherë qëllim të lëndonte ndokënd me vendimin e saj për të marrë pjesë në aktivitet.
“Prapë jam krenare që në mes të Serbisë jam prezantu si shqiptare nga Kosova, për me iu tregu që asnjëherë, në asnjë fushë nuk janë ma nalt se na”, ka shkruar ajo, duke mbrojtur vendimin e saj.
Ajo gjithashtu sqaroi se kishte një kontratë bashkëpunimi me Maybelline dhe se pjesëmarrja në aktivitet ishte një detyrim profesional. Aulona theksoi se kishte udhëtuar me dokumente të Kosovës, duke e konsideruar këtë si një mënyrë për të mbrojtur reputacionin e vendit të saj.
“Shpresoj që emri i Kosovës përmendet kudo në botë, veç për mirë”, ka shtuar ajo, duke shprehur dëshirën që aktivitete të ngjashme të brendeve botërore të organizohen edhe në Kosovë në të ardhmen.
Në përfundim, Aulona falënderoi ata që e kanë mbështetur, duke theksuar se edhe vetë kishte përjetuar urrejtje gjatë kësaj situate. “Sa ma pak urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Tu e ul dikon, asnjëherë nuk mundesh me ngrit veten”, përfundoi ajo, duke reflektuar mbi rëndësinë e unitetit.
Reagimi i saj erdhi pas disa ditësh debatesh, ku udhëtimi në Serbi ngriti pyetje për kufirin mes angazhimeve profesionale dhe ndjeshmërisë që një destinacion i tillë ka për publikun kosovar.
