Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, ka shprehur kritika të forta ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si të padrejtë dhe të paracaktuar. Ai theksoi se ky vendim është një rishkrim i historisë dhe një fshirje e saj.
Gjatë një interviste në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Prosper theksoi se trupi gjykues ka injoruar dëshmitë dhe materialet e paraqitura nga mbrojtja, duke cenuar kështu parimet e sundimit të ligjit. Ai e konsideron këtë një situatë të papranueshme dhe të largët nga e vërteta.
Prosper përmendi se mbrojtja kishte paraqitur informacione nga NATO, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kombet e Bashkuara, të cilat dëshmonin se nuk kishte një strukturë efektive komandimi dhe kontrolli brenda UÇK-së. Ai e quajti këtë një provë të rëndësishme për të mbështetur qëndrim e tij.
“Ky vendim është i pandershëm. Është një situatë që rishkruan historinë dhe e fshin atë,” tha Prosper, duke theksuar se gjyqtarët kanë injoruar dëshmitarët e mbrojtjes dhe provat që ai i konsideron si të besueshme.
Ai theksoi se kishin informacion kredibil nga aparati i inteligjencës i NATO-s dhe vendeve anëtare, që e bënte të qartë se nuk kishte organizim dhe kontroll të UÇK-së. Prosper përmendi një letër të Departamentit amerikan të Shtetit të vitit 1999, që theksonte mungesën e komandës efektive brenda UÇK-së.
Avokati shprehu dyshimet e tij për përfshirje politike në proces, duke thënë se vetëm tre gjyqtarët që morën vendimin e dinë motivin e tij. Ai e përshkroi vendimin si të dukshëm që ishte “i shkruar paraprakisht” dhe se mbrojtjes i ishin vendosur pengesa në përpjekjet për të paraqitur të vërtetën.
Prosper gjithashtu kritikoi statistikat e ankesave të mbrojtjes, duke deklaruar se ekipi i tij kishte paraqitur 44 apele dhe nuk kishte fituar asnjërin, ndërsa ankesat e prokurorisë kishin marrë përgjigje pozitive. Ai e konsideron këtë një padrejtësi të madhe për mbrojtjen.
Ai përmendi emrat e disa ish-komandantëve të UÇK-së që ishin përmendur në aktgjykim, duke u shprehur se kjo ngre pikëpyetje për mundësinë e proceseve të tjera në të ardhmen. “Gjykata praktikisht i ka shpallur fajtorë pa u dhënë kurrë mundësinë e një seance dëgjimore,” tha ai, duke theksuar nevojën për transparencë në proces.
Prosper kritikoi gjithashtu përmendjen e emrit të Beadin Allaqit në aktgjykim, duke thënë se rrethanat lidhur me këtë rast ishin mbajtur konfidenciale dhe se mbrojtja kishte materiale shfajësuese që nuk ishin lejuar të diskutoheshin publikisht. Ai e kundërshtoi interpretimin se aktgjykimi lidhet vetëm me katër individët e dënuar.
“Mjafton të dëgjoni arsyetimin e tyre,” tha Prosper, duke pretenduar se konstatimet e gjykatës për ekzistencën e një Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale kanë prekur në mënyrë më të gjerë UÇK-në dhe trashëgiminë e luftës së Kosovës. “Tre burra rishkruan dhe fshinë historinë,” përfundoi ai.
Sa i përket iniciativës së PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Prosper tha se kjo tregon se Kosova po përpiqet të ushtrojë përgjegjësinë dhe kontrollin e saj institucional. Ai theksoi se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë duhet të vazhdojë.
“Është një çështje e udhëheqjes. A dëshiron Kosova të marrë udhëheqjen, të jetë udhëheqësi i të ardhmes së vet?” tha Prosper, duke shtuar se mbrojtja e Thaçit ka paraqitur “mbrojtjen më të mirë në historinë e gjykatave.”
Gjatë diskutimit mbi faktin se Thaçi u shpall i pafajshëm për gjashtë pikat që lidhen me krimet kundër njerëzimit, Prosper e quajti këtë të rëndësishme, por theksoi se gjykata kishte pranuar akuzat për krime lufte. Ai kritikoi gjithashtu vonesën në publikimin e aktgjykimit të plotë, duke thënë se procesi duhet të jetë transparent dhe i qasshëm për publikun.
“Drejtësia duhet të ndahet në sytë e publikut,” tha ai, duke konfirmuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit mbrojtës të Thaçit në procedurën e apelit. “Do të jem aty derisa Hashim Thaçi të ketë mundësinë e plotë ta pastrojë emrin e tij,” përfundoi ai, duke shpresuar që procesi i apelit të përfundojë brenda një periudhe prej 12 muajsh.