Vendimi i pritur nga Dhomat e Specializuara nuk arriti të sjellë qetësi, duke e çuar tani betejën për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën e Apelit. Avokati Skender Musa thekson se aktgjykimi aktual është në kundërshtim me ligjin penal të aplikueshëm, duke sugjeruar se mbrojtja do të angazhohet për ta sfiduar atë në të gjitha bazat ligjore. Ai shpreh besimin se Apeli ka mundësinë të ndryshojë vendimin dhe madje të shpallë të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së.
Musa, në një intervistë për Ekonomia Online, shpjegoi se Gjykata kishte të drejtë të shqiptojë dënim maksimal deri në 15 vite, sipas ligjit që ishte në fuqi gjatë kohës së veprave penale.
“Dua të sqaroj se vendimi i Dhomave të Specializuara është në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm në kohën e kryerjes së veprave penale. Ligji i atëhershëm, ai i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, parashikonte dënim maksimal 15 vite ose dënim me pushkatim. Gjykata duhej ta zbatojë atë ligj dhe nuk kishte të drejtë të shqiptojë dënim 25 ose 18 vite. Kjo është një shkelje e ligjit penal”, deklaroi Musa.
Avokati kritikoi gjithashtu mënyrën se si ka funksionuar procesi gjyqësor deri tani në Hagë.
“Një nga gjërat që më ka shqetësuar është se asnjë i akuzuar deri më tani nuk është shpallur i pafajshëm. Është e pamundur që të gjithë ata që akuzohen të jenë fajtorë. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një gjykatë politike dhe të padrejtë, e cila ka si qëllim të dënojë ushtarët e UÇK-së”, tha ai.
Sa i përket hapat e ardhshëm, Musa theksoi se pas pranimit të aktgjykimit nga palët, do të fillojë përgatitja e ankesave, me një proces që mund të zgjasë rreth një vit.
“Pas pranimit të aktgjykimit, prokurori special dhe avokatët do të përgatisin ankesat brenda një afati 30 ditor ose 60 ditor. Procesi në shkallën e dytë zakonisht zgjat rreth 12 muaj, por mund të ketë zgjatje për shkak të kompleksitetit të dosjes”, shpjegoi ai.
Musa theksoi se mbrojtja duhet të kundërshtojë aktgjykimin në disa baza, duke përfshirë pretendimet për shkelje të procedurës penale dhe mungesën e një gjykimi të drejtë.
“Është thelbësore që vendimi të goditet në të gjitha bazat për shkak se ka pasur shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe nuk është siguruar një gjykim i drejtë”, tha ai.
Një tjetër pikë e rëndësishme e ankesës do të jetë mënyra e vërtetimit të gjendjes faktike, duke theksuar se gjykata nuk ka qenë në vendet ku pretendohen krimet.
“Kjo gjykatë dhe prokurorët nuk kanë qenë kurrë në vendet e ngjarjeve dhe nuk kanë paraqitur asnjë skicë të vendeve ku janë kryer krimet”, theksoi Musa.
Ai gjithashtu theksoi se mbrojtja do të kundërshtojë edhe sanksionet penale të shqiptuara.
“Gjykata e Apelit ka të drejtë ta anulojë aktgjykimin dhe ta kthejë lëndën për rigjykim. Ajo mund të zvogëlojë dënimet, por nuk ka mundësi të rrisë dënimet”, tha ai.
Musa shprehu optimizëm se Apeli mund të sjellë një vendim për pafajësi, duke theksuar se aktgjykimi aktual nuk mbështetet në prova të drejtpërdrejta.
“Aktgjykimi është mbështetur kryesisht në prova rrethanore, dhe sipas Kodit Penal, asnjë qytetar nuk guxon të dënohet pa prova materiale”, përfundoi ai.
Gjykata Speciale ka dënuar me 81 vjet burgim katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.