Moderatorja Ori Nebijaj ka shprehur një reagim të fortë pas publikimit të disa videove intime në rrjetet sociale, duke e vendosur theksin te cenimi i privatësisë së individëve dhe shpërndarjen e materialeve pa pëlqimin e tyre.
Ajo e shoqëroi reagimin e saj me një postim në rrjetet sociale, ku kritikoi ashpër interesin e publikut për të kërkuar dhe shpërndarë materiale të tilla, duke theksuar se problemi kryesor është mënyra se si këto informacione bëhen publike pa miratimin e personave të përfshirë.
“Skandali nuk është jeta intime e individëve, por thyerja e privatësisë së tyre dhe mënyra se si ne i presim, i kërkojmë dhe i shpërndajmë ato pamje”, theksoi Nebijaj në postimin e saj.
Nebijaj kërkoi gjithashtu që të ketë përgjegjësi penale për ata që realizojnë regjistrime intime pa pëlqimin e personave të përfshirë, si dhe për ata që i shpërndajnë më tej këto materiale.
“Ky është abuzim, jo argëtim”, theksoi moderatorja, duke e bërë të qartë se situata e tillë nuk duhet të trajtohet si një formë argëtimi.
Ajo gjithashtu u ndal te mënyra se si raste të tilla shndërrohen shpejt në spektakël publik, me videot që qarkullojnë nga një telefon në tjetrin përmes rrjeteve sociale.
Nebijaj kritikoi standardin e dyfishtë me të cilin, sipas saj, trajtohen gratë dhe burrat në situata të ngjashme, duke argumentuar se gratë shpesh përfundojnë në qendër të gjykimit publik, edhe kur burrat janë po ashtu të përfshirë.
“Ky është morali ynë me dy standarde: kur duhet të kërkojmë llogari, bëhemi spektatorë; kur duhet të respektojmë privatësinë, bëhemi prokurorë”, shkroi ajo, duke e theksuar nevojën për një qasje më të barabartë në këto raste.
Në përfundim, Nebijaj përmendi emrin e Adrian Hilës, duke e kritikuar ashpër dhe duke kërkuar që kushdo që ka shpërndarë materiale intime, qoftë si burim fillestar apo më pas, të përballet me përgjegjësi ligjore.
Reagimi i saj vjen në një kohë kur debati mbi publikimin dhe shpërndarjen pa pëlqim të materialeve intime po ngre sërish shqetësime të mëdha për privatësinë dhe etikën në rrjetet sociale.