Dy ditë më parë, çifti i njohur, Kushtrimi dhe Aurora, i dhanë fund beqarisë së tyre duke kurorëzuar dashurinë në një ceremoni të bukur martese. Në këtë ngjarje të veçantë morën pjesë miq, familjarë dhe disa ish-banorë të Big Brother VIP Kosova, por mungesa e disa prej tyre u vu re nga të pranishmit.
Një nga ata që e ndjeu mungesën ishte këngëtari Labinot Rexha. Ai, përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehu shqetësimin e tij për faktin se nuk kishte marrë ftesë për këtë ngjarje të rëndësishme. Ai gjithashtu theksoi se edhe Ludo, një tjetër ish-banor, nuk ishte ftuar.
Megjithatë, pavarësisht mungesës së ftesës, Labinoti shprehu urimet e tij më të mira për çiftin. Ai uroi që martesa e tyre të jetë e mbushur me shëndet, lumturi dhe jetë të gjatë.
“Media, ju lutem, nuk keni nevojë të më kontaktoni për dasmën. Dje kam qenë në një dasmë në Gjenevë dhe kam kënduar. Mua dhe Ludo-n nuk na ka ftuar Kushtrimi. Por kjo është jeta dhe secili e di se kë dëshiron pranë,” shkroi ai në postimin e tij.
Labinoti vazhdoi duke shprehur dëshirat e tij më të mira për çiftin: “Urime nga zemra! Inshallah Zoti ua dhëntë jetë të gjatë, shëndet, dashuri dhe shumë nipa e mbesa. Lus Zotin që Kushtrimi ta gjejë qetësinë dhe lumturinë e tij.”
Edhe pse ai shprehu disa dyshime dhe mendime personale për marrëdhënien, ai theksoi se nuk dëshiron të prishë këtë ditë të veçantë për çiftin. “Koha do ta tregojë gjithçka,” përfundoi ai.
