Një dasmë e mbushur me luks dhe ar, e cila filloi si një ngjarje festive, është kthyer në një çështje të rëndësishme për autoritetet turke, duke ngjallur kuriozitet dhe shqetësim në opinionin publik.

Ceremonia e martesës mes influencueses Çağla Öz dhe Mehmet Fatih Tançalan, i njohur si “Vanlı Kara Haydar”, u zhvillua më 6 shtator në Van. Pamjet e kësaj ngjarjeje u shpërndanë shpejt në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen për shkak të sasisë marramendëse të arit që iu vendos nuses, duke përfshirë kurora, gjerdanë, breza dhe byzylykë.
Byzylykët ishin aq të shumtë sa që nuk i nxinte më krahu, duke krijuar një pamje që dukej si një “shi arit” mbi nusen. Kjo skenë e jashtëzakonshme e bëri dasmën një nga temat më të diskutuara të javës.
Raportet nga mediat turke sugjerojnë se vlera e bizhuterive të ekspozuara në këtë dasmë arrinte në rreth 44 deri në 45 milionë lira turke, duke e bërë atë një nga dasmat më të shtrenjta të regjistruara ndonjëherë.
Megjithatë, vetëm disa ditë pas ceremonisë, Mehmet Fatih Tançalan u ndalua nga policia në kuadër të një hetimi të nisur nga Prokuroria e Vanit. Kjo situatë ka ngjallur shqetësime të mëdha në lidhje me burimin e pasurisë së tij dhe sasisë së madhe të arit e parave të shfaqura gjatë dasmës.
Autoritetet kërkuan verifikimin e burimeve të pasurisë, duke përfshirë edhe MASAK, institucioni që merret me hetimin e transaksioneve financiare të dyshimta. Pas ndalimit, Tançalan u arrestua dhe u dërgua në paraburgim, ndërsa hetimi financiar për dasmën vazhdoi.
Ai deklaroi se disa nga elementet luksoze të dasmës ishin siguruar përmes sponsorëve dhe se disa bizhuteritë ishin marrë me qira. Këto pretendime janë ende në hetim dhe nuk përbëjnë një përfundim zyrtar të çështjes.
Një zhvillim i ri ndodhi më 10 shtator, kur edhe Çağla Öz u ndalua nga autoritetet turke. Hetimi për burimin e arit dhe parave të tjera të shfaqura në dasmë po vazhdon, dhe ndalimi i saj nuk nënkupton fajësi, pasi procedurat janë ende në zhvillim.
Pas fillimit të hetimeve, Çağla Öz mbylli llogaritë e saj në rrjetet sociale, një veprim që tërhoqi vëmendjen e madhe të mediave turke. Kështu, brenda pak ditësh, dasma që filloi si një festë luksoze është kthyer në një hetim financiar dhe penal, duke lënë pas një histori të mbushur me mistere dhe pyetje të hapura.
/Prive By Liberta Spahiu.
