Debati i fundit mbi rolin e influencuesve në Shqipëri ka marrë një kthesë të papritur, duke u shndërruar në një përplasje të ashpër mes mediave dhe personazheve publikë. Mbrëmjen e kaluar, në emisionin “Top Story”, gazetari Bledi Mane ka hedhur akuza të rënda ndaj Dea Mishel, një nga influencueset më të njohura të momentit, duke shkaktuar një reagim të fortë nga ana e saj.
Gjatë diskutimit, Mane përdori një gjuhë denigruese, duke e quajtur Dea Mishel një femër që nuk kujdesej për higjienën personale dhe duke e ofenduar në mënyrë të hapur. Ai tha: “Nga Dea Mishel doli miu në Top Channel. Një femër që nuk lante enët, s’mbolli një lule!” Këto fjalë shkaktuan një reagim të menjëhershëm nga moderatori Grida Duma, e cila kërkoi që ai të ndalonte.
Moderatori Duma, duke e parë situatën të tensionuar, i tha Bledi Manes: “Stop! S’ta lejoj këtë!” Megjithatë, gazetari vazhdoi me akuzat e tij, duke e bërë situatën edhe më të tensionuar. Duma, e shqetësuar nga gjendja, kërcënoi se do t’i hiqte mikrofonin nëse ai nuk ndalonte.
Pas emisionit, reagimi i Dea Mishel ishte i menjëhershëm. Ajo shprehu shqetësimin e saj për mënyrën se si u trajtua në program, duke e cilësuar si një moment denigrimi. Ajo publikoi një letër të hapur në Instagram, ku tha: “Jam e zhgënjyer nga fakti që në një program me kohëzgjatje 1 orë e 22 minuta, highlight-i i vetëm që ti zgjedh të shpërndash është momenti kur une po denigrohem.”
Dea Mishel theksoi se pavarësisht se Grida Duma e cilësoi të palejueshme gjuhën e urrejtjes, biseda vazhdoi dhe se fjalët e moderatores ishin thjesht një përpjekje për të shpëtuar situatën, pa e mbrojtur atë me vërtetësi.
Ajo gjithashtu ngriti dyshime se ky sulm mund të kishte një motiv të caktuar, duke e lidhur atë me angazhimin e saj në protestat e fundit qytetare ose me refuzimin e saj për t’u ftuar në emision. “Do ishte më e ndershme ta shprehnit haptazi se ju ka hidhëruar refuzimi im për ftesën tuaj,” shkroi ajo, duke e cilësuar situatën si një provokim të ulët.
Në përfundim, Dea Mishel e konsideroi këtë sulm si “koston e lirisë” së saj për të folur dhe vepruar sipas dëshirës. Ajo i dërgoi një mesazh të fundit moderatores Duma, duke i thënë: “Më lejo të të them që mendoj se je në anën e gabuar të historisë.” Influencuesja ftoi ndjekësit e saj të bashkohen në protestat për kauzat qytetare, duke theksuar se nuk do të heshtte përballë padrejtësive.