Një deklaratë e zëvendëskryeministrit italian, Antonio Tajani, ka shkaktuar një valë të madhe reagimesh në Itali, duke përfshirë edhe kritika nga Kisha Katolike.
Gjatë një konference, Tajani u pyet për këshillat që do t’i jepte të birit për zgjedhjen e një gruaje për martesë. Ai sugjeroi se, ndonëse një grua joshëse mund të duket e përshtatshme, ajo mund të ketë pasur marrëdhënie të mëparshme dhe tendenca për të tradhtuar.
Ministri theksoi se do ta këshillonte të birin të zgjidhte një grua më pak tërheqëse, por më të besueshme, e cila do të ishte një nënë e mirë dhe do t’i qëndronte besnike martesës.
“Një grua që ndoshta vesh funde pak më të gjata se të tjerat”, tha ai, duke shkaktuar kështu një reagim të menjëhershëm nga publiku dhe politikanët.
Reagimet në rrjetet sociale ishin të shumta, me disa përdorues që publikuan fotografi të manipuluara të Tajanit me minifund, ndërsa deputete opozitare ndanë fotografi të tyre të veshura me funde të shkurtra për të ironizuar deklaratat e tij.
Deputetja e Lëvizjes Pesë Yje, Chiara Apetino, e cila publikoi një fotografi me minifund, e kritikoi ashpër Tajanin. Ajo shkroi: “A nuk jam një grua e besueshme? A nuk jam një nënë e mirë? Besueshmëria jonë nuk matet me centimetra pëlhure.”
Në një protest simbolike, 11 senatore të opozitës u shfaqën me minifunde në Senatin italian, duke përfaqësuar Partinë Demokratike, Italia Viva dhe Aleancën e të Gjelbërve dhe të Majtës.
Edhe ish-kryeministri Matteo Renzi i cilësoi deklaratat e Tajanit si të papërshtatshme, duke thënë: “Nuk mund të thuash që një vajzë me një fund pak më të shkurtër nuk është një person serioz. Çfarë është kjo, shekulli i 18-të?”
Kisha Katolike gjithashtu u përfshi në këtë debat, me imzot Giuseppe Baturi që theksoi se çdo fjalë dhe vështrim ndaj një gruaje duhet të shoqërohet me respekt. Ai theksoi se roli i gruas është i veçantë dhe se respekti është thelbësor.
Pas gjithë kësaj, Antonio Tajani kërkoi falje për deklaratën e tij, duke thënë se nuk kishte pasur për qëllim të ofendonte gratë. Ai shprehu keqardhje për çdo ofendim që mund të ketë shkaktuar me fjalët e tij.
“Kërkoj ndjesë nëse dikush është ofenduar nga ajo që thashë, por kurrë nuk kam pasur për qëllim të ofendoj gratë,” tha ai nga Nju Jorku, ku ndodhej për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

