Demaku: Ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale, një nevojë urgjente për drejtësi

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, ka shprehur shqetësimin e tij se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe lideri i saj, Albin Kurti, nuk tregojnë gatishmëri për të mbështetur projektligjin e propozuar për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, i njohur si Gjykata Speciale në Hagë.

Ky projektligj, i cili është paraqitur në Kuvend nga PDK-ja, synon të adresojë çështjet e rëndësishme që lidhen me të drejtat e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Demaku ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur të drejtat e atyre që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë, duke theksuar se ky është një dështim i qeverisjes aktuale.

“Kur thonë se do ta shqyrtojmë me kujdes nismën tonë ligjore, kjo tregon se nuk ka vullnet të vërtetë. Unë nuk pres asnjë lloj pozitiviteti nga LVV-ja dhe Kurti, pasi për gjashtë vite nuk kanë kontribuar në këtë drejtim. Përkundrazi, roli i tyre ka qenë dëmprurës për procesin,” ka thënë ai.

Demaku është optimist se ndryshimi i ligjit është i mundur, nëse deputetët tregojnë vullnetin e duhur politik për ta realizuar këtë nismë.

“Gjithçka është e mundur dhe mund të arrihet. Ne kemi të drejtë ta bëjmë këtë, por duhet vullnet dhe vendosmëri. Si mund të thonë se nuk mund të bëhet një ndryshim ligji? Bëhet, por vetëm nëse ka dëshirë nga partitë politike dhe deputetët,” ka theksuar ai.

Ndryshe, grupi parlamentar i PDK-së ka proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, pas protestave të fundit që kanë shprehur pakënaqësinë ndaj aktgjykimeve të dhëna ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas dokumentit të propozuar, nevoja për ndryshime në ligj është e qartë pas vendimit të 16 shtatorit, ku UÇK-ja u cilësua si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’. Aleanca ka shprehur mbështetje për këtë nismë, ndërsa LVV-ja ka thënë se do ta shqyrtojë nga aspekti juridik.

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar mbi këtë çështje.

Nga Rubrika