Humbja e papritur e Laurent Krasniqit, ish-banorit të Big Brother VIP Kosova 3 dhe tiktokerit të njohur, ka lënë një boshllëk të thellë në zemrat e shumë njerëzve. Ndjekësit e tij dhe opinioni publik janë tronditur nga ikja e tij e parakohshme, ndërsa motra e tij, Xhen Krasniqi, ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen e saj të thellë për vëllain e saj të vetëm.
Në një postim të ngarkuar në llogarinë e saj në Instagram, Xheni ka publikuar fotografi ku shfaqet krah për krah me Laurentin, duke theksuar ndjenjat e saj të trishtimit dhe humbjes. Ajo ka shprehur se ende nuk e beson realitetin e hidhur që po përjeton, duke e ndjerë mungesën e tij në çdo moment.
“Vllau jem, po ta shkruaj këtë me lot në sy e me një zemër që hala nuk po e beson që ti nuk je më. Sikur ta kisha edhe një herë mundësinë me të pa, me ta ni zërin, me të përqafu e me t’thënë sa shumë të du. Nuk e dita kur të përqafova herën e fundit që ajo do të ishte hera e fundit e jetës time me ty,” ka shkruar ajo.
Xheni vazhdon të përshkruajë boshllëkun e madh që ka lënë pas Laurent, duke e cilësuar atë si një njeri me shpirt të pastër që u largua shumë shpejt nga kjo jetë. Ajo thekson se bota ka humbur një person të mirë, që nuk e meritonte të largohej kaq herët, ndërsa kujtimet dhe fotografitë e përbashkëta janë pasuria më e madhe që i ka mbetur prej tij.
Në përfundim të mesazhit të saj, Xheni premton se do ta mbajë gjallë kujtimin e tij në çdo hap të jetës së saj, duke u lutur dhe folur për të çdo ditë, për të ruajtur lidhjen e tyre të veçantë.
“Pusho i qetë, vllau jem i vetëm. Nëse dashnia do të mundej me të kthyer, ti do të ishe prapë këtu në krahët e mi. Malli për ty nuk ka me u shu kurrë. Ti nuk je veç një kujtim për mua, ti je një pjesë e zemrës time që vdiq bashkë me ty,” përfundon ajo shkrimin e saj prekës.