Pas një ndeshjeje emocionuese dhe plot tension, Dinamo ka përfunduar rrugëtimin e saj në Europë, duke u eliminuar nga Conference League pas një humbjeje 4-2 ndaj Pafos në kohën shtesë.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja arriti të shënojë e para, duke kaluar në avantazh që në minutën e 8-të. Pas një aksioni të shpejtë dhe një ndërhyrjeje të shkëlqyer nga Malomo, David Fadairo shfrytëzoi asistin e Silva Richard për të dërguar topin në rrjetë. https://streamin.me/v/887deb8b
Megjithatë, vendasit reaguan shpejt. Në minutën e 12-të, Ken Sema barazoi shifrat me një goditje nga distanca, duke e dërguar topin në rrjetën e Aldo Teqja, i cili u ndihmua nga një devijim. Dinamo pretendoi për faull gjatë aksionit, por arbitri e konsideroi të ligjshëm golin.
Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 1-1, por tensioni vazhdoi të rritej. Vendasit arritën të kalonin në avantazh në minutën e 78-të me një gol të Nikolas Ioannou, i cili shënoi me kokë pas një krosimi të saktë. Megjithatë, Dinamo nuk u dorëzua dhe arriti të barazonte sërish në minutën e 88-të me Silva Richards, pas një goditjeje këndi.
Koha e rregullt përfundoi 2-2, duke e çuar ndeshjen në shtesë. Të dy ekipet kishin shpresat për të avancuar, por tensioni ishte i madh. https://streamin.me/v/30df94c4
Goli vendimtar për Pafos erdhi në minutën e 116-të nga Domingos Quina, duke i dhënë një avantazh të rëndësishëm skuadrës qipriote. Anderson Silva e vulosi fatin e Dinamos duke shënuar golin e katërt për vendasit në minutën e 120-të, duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin përfundimtar 4-2.