Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca dëgjimore ndaj këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti.
Mungesa e të akuzuarit bëri të pamundur zhvillimin e seancës për tri veprat penale: “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Gjithashtu, në sallë mungoi edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësi i Gjestit, avokati Burim Azemi, sqaroi se këngëtari e ka njoftuar përmes një mesazhi për pamundësinë e pjesëmarrjes, duke bërë të ditur se ai ndodhej në Shqipëri për shkak të një koncerti.
“Rrethanat a janë objektive apo subjektive nuk i di për momentin, mirëpo më ka tregu që e ka të pamundur me prezantu sot”, tha Azemi.
Për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore, gjykatësja Edita Çanta paralajmëroi se nëse i akuzuari nuk paraqitet në seancën e radhës, Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjelljen e tij me detyrim.
Kujtojmë se ngjarja ka ndodhur më 11 mars 2026 në zyrat e studios “Onima”. Gjesti akuzohet se me armë në dorë ka kërcënuar stafin duke kërkuar të dëmtuarin Erkand Shabani për shkak të një borxhi, si dhe ka dëmtuar një kompjuter e dy xhama të studios.
Megjithëse më parë ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit, ai është liruar pas arritjes së një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me prokurorinë.
