Donika Berisha: Një ëndërr e realizuar në pasarelën e Milanos

Pas një periudhe të gjatë larg skenës, Donika Berisha ka bërë një rikthim të bujshëm, duke u shfaqur në një sfilatë mode në Milano, një ngjarje që e ka përjetuar si një ëndërr të realizuar.

Ajo mori pjesë në prezantimin e koleksionit të dizajneres Elfida Artinoff, një eksperiencë që e përshkruan si të veçantë dhe mbresëlënëse. Donika ka ndarë emocionet e saj në një intervistë për Prive By LS, duke theksuar se ambienti i sfilatës ka kontribuar në këtë ndjenjë të veçantë.

“Ishte një eksperiencë jashtëzakonisht e veçantë dhe mbresëlënëse. Ecja në pasarelën e realizuar në Palazzo Sorbellini, një pallat i historisë neoklasike italiane që daton nga shekulli i 18-të, ishte sikur një ëndërr!”, ka thënë ajo, duke shprehur emocionet e saj nga ky moment i paharrueshëm.

Rrethuar nga historia dhe arti që e karakterizojnë këtë vend, Donika ka shprehur dëshirën për ta përjetuar këtë moment në tërësi. “E rrethuar me gjithë atë histori e art që të lë pa frymë, nuk doja asgjë tjetër veçse ta përjetoja atë përvojë me krejt qenien”, ka shtuar ajo.

Donika ka zbuluar se lidhja e saj me dizajneren Elfida Artinoff është e vjetër, duke e konsideruar atë një mikeshë të ngushtë. Ajo ka theksuar se Elfida, e cila ka prezantuar koleksionet e saj në qytete si New York, Paris, Monte Carlo dhe Milano, e kishte ftuar për të qenë pjesë e brendit të saj që prej kohësh.

“Këtë herë në Milano, na u sinkronizuan planet dhe mora pjesë në sfilatën e saj”, ka treguar Donika, duke shprehur kënaqësinë për këtë mundësi të veçantë.

Për të, të përfaqësojë këtë brand është një privilegj, veçanërisht për shkak të identitetit që ai përcjell përmes koleksioneve. “Është privilegj të përfaqësosh një brand që është shumë unik, që paraqet figurën e femrës dhe mashkullit të barabartë, duke theksuar elementet e fuqishme femërore me ngjyra, dizajn dhe aksesorë ekstravagantë”, ka deklaruar ajo.

Edhe pse kjo paraqitje në pasarelën e Milanos ishte një eksperiencë e re për të, Donika ka pasur përvoja të tjera në botën e modës, kryesisht si fotomodele. Ajo ka theksuar se ky moment i ka dhënë mundësinë të përjetojë një dimension tjetër të kësaj fushe.

“Puna kreative, sidomos e kësaj natyre, më jep shumë energji dhe më plotëson shumë në aspektin personal dhe profesional”, ka thënë Donika, duke shprehur pasionin e saj për modën.

Dhe duket se kjo nuk do të jetë një paraqitje e vetme. Ajo ka lënë të hapur mundësinë për të qenë sërish në projekte të ngjashme, duke e konsideruar këtë një anë të saj që mund të rikthehet në të ardhmen. “Definitivisht është një anë e imja që mund ta shihni dhe do ta shihni prapë në të ardhmen!”, ka përfunduar ajo në prononcimin për Prive By LS.

Nga Rubrika