Gazeta austriake “Der Standard” ka hedhur dritë mbi dorëheqjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar atë si një veprim të paqartë dhe të pakuptimtë.
Analiza e gazetës sugjeron se, pavarësisht pozicionit të tij, Vuçiqi vazhdon të mbajë kontrollin e pushtetit në Serbi, duke e bërë atë një figurë qendrore në politikën e vendit.
“Pavarësisht nëse ai është në krye të shtetit apo jo, të gjitha rrugët çojnë drejt tij. Pas zgjedhjeve, është e mundur që Vuçiqi të vazhdojë si kryeministër, ashtu siç ka vepruar më parë”, thekson “Der Standard”.
Gazeta e krahasoi këtë situatë me modelin e presidentit rus, Vladimir Putin, duke sugjeruar se Vuçiqi po ndjek një strategji të ngjashme me atë të liderit rus.
“Ai po zbatohet ‘recetën e Putinit’ – një mënyrë e njohur për të ruajtur pushtetin në mënyrë alternative, duke mbajtur postet e ndryshme”, theksohet në koment.
“Der Standard” e vlerëson situatën në Serbi si një reflektim të autoritarizmit në rritje dhe shpërfilljes së Kushtetutës, duke theksuar se këto zhvillime janë shqetësuese për demokracinë në vend.
Me zgjedhjet e 25 tetorit në horizont, partia e Vuçiqit ka një mbështetje të konsiderueshme prej rreth 48 për qind, ndërsa lista e studentëve, e cila ka dalë nga protestat, ka rreth 37 për qind mbështetje, sipas sondazheve të cituara.
Gazeta kritikon gjithashtu Bashkimin Evropian, duke argumentuar se BE-ja duhej të kishte ndërprerë negociatat e anëtarësimit me Serbinë shumë më herët, sidomos pas përdorimit të forcës nga regjimi ndaj qytetarëve të tij.
“BE-ja duhej të kishte vepruar më herët, sidomos pas sulmeve të formacioneve paraushtarake serbe në Kosovë, që ndodhi para tre vjetësh”, thekson “Der Standard”.
Megjithatë, zyrtarë të lartë të BE-së vazhdojnë të vizitojnë Beogradin, duke përfshirë pritjen që presidenti francez, Emmanuel Macron, i bëri Vuçiqit në Paris, pas ceremonisë për Ratko Mlladiqin, i dënuar për krime lufte.
Në përfundim, “Der Standard” lidh situatën politike në Serbi me qasjen e vendeve evropiane, duke theksuar se sistemi i Vuçiqit dhe shtypja e forcave demokratike janë pasojë e injorancës dhe mungesës së strategjisë nga ana e Evropës.