Dua Lipa, një nga zërat më të njohur të muzikës moderne, ka shprehur mbështetje të fortë për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, të cilat kundërshtojnë një projekt turistik të madh të mbështetur nga familja Trump. Gjatë një bisede në podcast-in e saj Service95 me akademiken Lea Ypi, ajo e cilësoi këtë lëvizje si “mjaft frymëzuese”.
Protestat kanë si fokus mënyrën se si qeveria shqiptare po menaxhon ligjet për të lejuar ndërtimin e një projekti prej 1.6 miliardë eurosh në ishullin e Sazanit dhe gadishullin e Zvërnecit. Dua Lipa shprehu shqetësimin e saj për ndryshimet e shpejta në ligjet mjedisore, të cilat po bëhen pa asnjë konsultim me qytetarët.
“Ajo që më shqetëson vërtet është se qeveria mund të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore, pa asnjë lloj konsultimi publik,” tha Dua gjatë bisedës në podcast.
Këngëtarja theksoi rëndësinë e përgjegjësisë politike dhe nevojën për të bërë pyetje të qarta mbi përfitimet e këtyre projekteve dhe ndikimin e tyre në përmirësimin e vendit.
Lëvizja, e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, ka marrë emrin për shkak të rrezikut që i kanoset ekosistemit dhe shpendëve të rrallë në zonat e mbrojtura ku parashikohet ndërtimi i resorteve dhe vilave. Dua Lipa e përshkroi emrin e kësaj lëvizjeje si një simbolikë të bukur që përmbledh vendosmërinë e protestuesve, duke e quajtur atë “frymëzuese”.
Reagimi i Dua Lipës është pritur me entuziazëm në Tiranë, ku protestat kanë hyrë në javën e tyre të gjashtë. Aleksandër Trajçe, udhëheqësi i organizatës për ruajtjen e mjedisit PPNEA, e vlerësoi mbështetje e saj si “fantastike dhe në kohën e duhur”, duke theksuar se ajo është një burim frymëzimi për të rinjtë shqiptarë në vazhdimin e rezistencës.
Ky projekt, i mbështetur nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump, ka ngritur shqetësime edhe në nivel ndërkombëtar. Eurodeputetët kanë paralajmëruar Shqipërinë se mosrespektimi i standardeve mjedisore mund të dëmtojë procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, i cili synohet të arrihet deri në vitin 2030.
Me këtë angazhim, Dua Lipa tregon se si artistët mund të luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetje të kauzave sociale dhe mjedisore, duke frymëzuar një brez të ri për të mbrojtur vlerat e natyrës dhe të drejtave të qytetarëve.