Web Analytics

Dushko Arsiq shpallet fajtor për krime lufte, dënohet me 13 vjet burgim

Botuar nga: InfoKosova

I akuzuari për krime lufte Dushko Arsiq sot është shpallur fajtor dhe është dënuar me 13 vjet burgim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ai është akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e B.Sh më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës, si dhe për maltretim fizik e psikik ndaj A.K.

I akuzuari D.A është shpallë fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 13 viteve, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 08.12.2021 deri në këtë plotëfuqishmërinë e këtij Aktgjykimi.

Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotëfuqishmërinë e këtij Aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar. Po ashtu obligohet i akuzuari D.A që ti paguaj të gjitha shpenzimet e procedurës penale.

D.A është akuzuar se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe dhe grupe paramilitare, të përbërë nga shumica të nacionalitetit serb, në periudhën e luftës në Kosovë, konkretisht prej muajit janar-qershor të vitit 1999, fillimisht kishte marr pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës me rrethinë, pastaj kishin filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kishin vënë zjarrin.

Po, ashtu kishin marr pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, e disa nga ta i kishin plagosur dhe vrarë.

I akuzuari D.A po ashtu kishte marr pjesë në ekzekutimin e viktimës, tani të ndjerit B.SH, ashtu që me datë 20.04.1999, në fshatin Butovc, Komuna e Prishtinës në vendin e quajtur “Varrezat e Maqedoncve” deri sa viktima kishte qenë duke ecur, e kishin gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kishin goditur, atëherë e kishin urdhëruar të dëmtuarin A.K, në atë kohë 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.SH ta mbajë në shpinë, edhe pse i dëmtuari kishte pasur lëndime të konsiderueshme fizike, pasi që paraprakisht i pandehuri D.A e kishte maltretuar fizikisht dhe psikikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokoleve shtesë.

I dëmtuari A.K udhëzohet në kontest të rregullt civil, lidhur me kërkesën pasurore juridike.

Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

RRJETET SOCIALE

1,162,113FansaPëlqeje
27,988NdjekësitNdjek
989NdjekësitNdjek
406AbonentëAbonohu

Të FUNDIT