Këngëtarja e njohur greke me origjinë shqiptare, Eleni Foureira, ka ndarë për herë të parë shqetësimet e saj për identitetin, duke zbuluar frikën që ndiente për të treguar publikisht prejardhjen e saj. Ajo pranoi se kishte frikë se kjo do t’i mbyllte dyert në botën e muzikës greke.
Foureira, e cila ka arritur suksese të mëdha në karrierën e saj, shpjegoi se gjatë rritjes së saj kishte bindjen se origjina e saj shqiptare do ta pengonte të kishte mundësi të barabarta me artistët e tjerë. “Kur isha e vogël, kjo frikë më shoqëronte. Mendoja se nëse do të thosha se jam nga Shqipëria, mund të humbja mundësitë që kishin të tjerët,” tha ajo.
Ajo kujtoi gjithashtu momentet e vështira që kalonte familja e saj, duke përmendur se nëna e saj shpesh qante për paragjykimet që përballej. “Më përqafonte dhe më thoshte: ‘Vajza ime, çfarë të kanë bërë? Ti nuk ke bërë asgjë të keqe’,” tregoi Foureira, duke shprehur dhimbjen e saj për ndjenjat e nënës.
Mbështetja e njerëzve të afërt ishte thelbësore për Foureirën, e cila e gjeti forcën për të vazhduar në muzikë. Ajo theksoi se publiku e vlerësoi për talentin e saj dhe jo për origjinën, duke e ndihmuar të kapërcejë pengesat që kishte ndjerë në fillimet e karrierës.
Gjatë intervistës, ajo gjithashtu ndau historinë e njohjes me partnerin e saj, ish-futbollistin Alberto Botía. Foureira e takoi për herë të parë rreth dhjetë vite më parë, kur ai, si pjesë e Olympiacosit, kishte shkuar në lokalin ku ajo performonte pas një fitoreje të skuadrës.
Ky takim i rastësishëm shënoi fillimin e një historie dashurie që e mbështeti atë në momentet e vështira. Ajo ndau se si dashuria e Botía-s e ndihmoi të përballonte frikën dhe të ndjehej më e fortë në karrierën e saj muzikore.
Foureira përfundoi duke theksuar se është e rëndësishme të pranojmë veten dhe të jemi krenarë për origjinën tonë, pavarësisht sfidave që mund të hasim. Ajo inkurajoi të gjithë ata që ndihen të ngjashëm të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre.