Elijona, e njohur për angazhimin e saj në mbrojtjen e natyrës, po shijon pushimet e saj verore në jug të Shqipërisë.
Ajo ka ndarë me ndjekësit e saj momentet e këndshme të udhëtimit, duke vizituar disa nga vendet më të bukura bregdetare, përfshirë ishullin e Sazanit dhe Zvërnecin, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së këtyre zonave natyrore.
Një video e publikuar në TikTok ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve, ku Elijona shpreh shqetësimin e saj për planet e kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e resorteve luksoze në këto zona të ndjeshme ekologjikisht.
“Ai mund të ndërtojë resorte. Ai mund të bëjë premtime. Por ai nuk mund të heshtë një gjeneratë që e di vlerën e vet,” ka shkruar ajo mbi video, duke e shoqëruar me mbishkrimin patriotik “Shqipëria e shqiptarëve”.
Kjo deklaratë e saj vjen si një vazhdimësi e angazhimit të saj për të mbrojtur natyrën nga betonizimi dhe shkatërrimi i pronave publike, një kauzë që e mban të angazhuar Elijonën.
Elijona, së bashku me Klodin, ka qenë aktive në protestat e organizuara kundër projekteve ndërtuese në Zvërnec, duke mbajtur një qëndrim të qartë në mbrojtje të bregdetit shqiptar dhe natyrës që e rrethon.
