Ish-banori i Big Brother, Elton Tozaj, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale pas transmetimit të investigimit nga emisioni “Fiks Fare”, ku akuzohej se u kishte marrë bizneseve telefona dhe para duke përdorur emrin e televizionit.
Investigimi pretendonte se Tozaj kishte përvetësuar tre telefona iPhone dhe shuma parash duke premtuar reklama në “Big Brother”, por ish-banori ka dhënë një version krejt tjetër të ngjarjes, duke sulmuar drejtpërdrejt pronaret e televizionit.
Në reagimin e tij publik, Tozaj shprehet i indinjuar, duke përmendur kontributin e tij 16-vjeçar në atë televizion dhe duke pretenduar se e vërteta është ndryshe nga ajo e transmetuar.
Ai thekson se është kontaktuar nga një punonjëse e brendshme (Frida) për të gjetur një biznes dhe se pagesat janë mbyllur nga xhepi i tij.
Tozaj e cilëson transmetimin si tendencioz dhe një sulm për të denigruar figurën e tij në një moment të vështirë familjar, pasi nëna e tij ndodhet në spital.
Për më tepër, ai përmend edhe emra të njohur si Arbana Osmani, Florian Binaj apo Dojna Mema, duke nënkuptuar se largimet dhe përplasjet me këtë televizion nuk janë raste të izoluara.
“Sa turp! 16 vite ia kushtova televizionit që babai juaj e krijoi me aq mund dhe pasion… Të dashura pronare, e vërteta është krejt ndryshe nga sa e thoni ju.
Unë jam kontaktuar nga Frida, që punon te ju, dhe më ka kërkuar, ndër të tjera, t’i gjeja një biznes që do të paguante këtë shumë…
Gjithsesi, e vërteta do të dalë.
Ma bëtë emrin pis, ndërkohë që kam nënën në spital, për kapriçot tuaja! Në fund të fundit, nuk jam as i pari as i fundit që largohem në këtë mënyrë.
Dojna Mema, Florian Binaj, Enxhi Nasufi, Arbana Osmani, etj., etj.”.