Sonte, mbërrin momenti kulmor i Big Brother VIP Kosova 4, finalja e madhe.
Pak orë para natës vendimtare, banorët ndanë emocionet e tyre për emisionin “Kosova Today”. Çdo njëri prej tyre ka përjetuar një udhëtim të veçantë brenda shtëpisë, dhe tani, përballë finales, ndjenjat janë të përziera.
Ludo, i pari që foli, shprehu kënaqësinë e tij. Ai theksoi se ndjehet shumë më mirë sesa kur hyri në këtë eksperiencë të veçantë. “Besoj se sonte do të jetë një finale interesante”, tha ai, duke lënë të kuptohet se është i gatshëm për çdo sfidë që e pret.
Hygerta, nga ana e saj, ndan një ndjenjë nostalgjie. “Që nga dje më ka pushtuar një ndjenjë e madhe nostalgjie. Në këtë shtëpi kemi kaluar emocione shumë të forta, dhe ato do të mbeten gjithmonë me ne”, shprehet ajo, duke reflektuar mbi momentet e paharrueshme që kanë ndodhur.
Elijona zbuloi detaje të vogla për këtë natë madhështore. “Sonte do të jem me ngjyra pink, dhe nuk do vesh kombinimin që ka thënë Londrimi”, tha ajo, duke treguar se është e vendosur të shprehë stilin e saj personal në këtë natë të veçantë.
Teksa vet Londrimi tha se po shfrytëzon çdo moment sonte brenda BBVK. “Po mundohem të shfrytëzoj çdo moment sot, sepse është një natë e madhe dhe e veçantë për të gjithë ne”, shprehet ai, duke theksuar rëndësinë e çdo sekonde.
Edhe finalisti tjetër, Klodi, tha se nuk po i besohet se po kryhet kjo eksperiencë unike. “Ndihemi mirë, emocionet janë të papërshkrueshme, dhe ende nuk na besohet që po përjetojmë këtë eksperiencë unike”, tha ai, duke shprehur mirënjohjen për këtë mundësi të jashtëzakonshme.
Me çdo minutë që kalon, tensioni rritet dhe emocionet bëhen më të forta. Banorët janë të gatshëm për të përballuar sfidat e fundit, dhe çdo njëri prej tyre ka një histori për të treguar. A do të arrijnë ata të realizojnë ëndrrat e tyre sonte? Kjo mbetet për t’u parë.
