Erik Lloshi, një nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare, ka ndarë përvojat e tij nga “Big Brother VIP 5” dhe ka folur për marrëdhëniet e tij me ish-banorët, duke u fokusuar veçanërisht në raportin me Kristi Lamajn.
Gjatë një interviste në emisionin “Pushime On Top”, këngëtari u përball me pyetje të shumta nga moderatorja Lei Kraja, e cila e sfidoi atë të flasë për përplasjet e tij me Kristin, të cilat ishin të shumta gjatë qëndrimit në shtëpi.
Eriku theksoi se, pas përfundimit të këtij formati të njohur, banorët vendosën të lënë pas tensionet dhe konfliktet që kishin ndodhur brenda mureve të shtëpisë.
“Pjesa e ‘Big Brother’ ka qenë një trysni goxha e madhe. Të gjithë banorët kemi vendosur që gjithçka që ka ndodhur brenda, do e lëmë aty në shtëpi”, shprehet ai, duke theksuar rëndësinë e lënies pas të së kaluarës.
Ai zbuloi se tani ka një marrëdhënie shumë të mirë me Kristi Lamajn, pavarësisht debateve të forta që patën gjatë formatit. “Me Kristin kemi marrëdhënie shumë të mirë, pavarësisht gjërave që kanë ndodhur. Janë gjëra normale, gjëra njerëzore. Fundja fare jemi njerëz, kemi gjak”, tha ai.
Kur moderatorja sugjeroi se përplasjet mund të kenë qenë pjesë e spektaklit, Erik e kundërshtoi këtë ide. “Jo, nuk ka qenë show në shumicën e rasteve. Disa gjëra kanë qenë edhe të vërteta. Shumica mendojnë se e bëjnë për lojë, por jo. Është një reality show, por me të vërtetë ndodhin gjëra që janë reale. Të paktën mua”, deklaroi ai.
Ai theksoi se reagimet dhe nervozizmi brenda shtëpisë ishin të vërteta, duke e lidhur këtë me presionin e bashkëjetesës, që bënte që situatat mes banorëve të përjetoheshin realisht.
Me fjalët e tij, Erik Lloshi tregon se, pavarësisht tensioneve të BBVIP, marrëdhënia me Kristi Lamajn ka evoluar pas daljes nga shtëpia dhe sot duket se mes tyre nuk ka më hatërmbetje.