Fama dhe popullariteti i madh shpesh vijnë me anën e tyre errët, ku kufiri mes jetës publike dhe asaj private zbehet deri në atë pikë sa rrezikohet qetësia e vetë shtëpisë.
Një situatë e tillë i ka ndodhur së fundmi këngëtarit të njohur Gjesti, i cili është detyruar të bëjë një reagim publik në rrjetet sociale pasi fansat e tij kanë shkuar disa herë afër banesës së tij private.
Nëpërmjet një postimi në Instagram, Gjesti ka ndarë një mesazh mjaft të ndjeshëm, ku nga njëra anë shpreh mirënjohjen e pafundme për dashurinë e publikut, por nga ana tjetër kërkon me forcë respektimin e hapësirës së tij personale dhe familjare.
Ai është shprehur fjalë për fjalë në reagimin e tij:
“Ju lutem, kam një kërkesë prej zemrës. E di që shumë prej jush vini te shtëpia jem me dëshirën me më taku ose me bo një foto me mua, dhe e vlerësoj pafund këtë dashni. Ama ju lutem më kuptoni edhe mua. Shtëpia është i vetmi vend ku mundohem me pushu, me kalu kohë me familjen dhe me gjet pak qetësi.
Kur vjen dikush çdo ditë te dera, bëhet shumë e vështirë me pas atë qetësi. Nuk dua që askush me u ndje i refuzum ose i parespektum. Përkundrazi, ju dua dhe ju falënderoj secilin prej jush. Por ju kërkoj me shumë respekt që të mos vini te shtëpia jem. Do të kemi plot raste me u taku në koncerte, evente dhe vende publike, ku me shumë qejf bëjmë foto dhe kalojmë kohë bashkë. Faleminderit që më kuptoni dhe që e respektoni privatësinë time dhe të familjes sime. Kjo për mua do të thotë shumë. ❤️🙏”
