Ushtruesja e Detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka dhënë një intervistë të rëndësishme në Rubikon të Klan Kosovës, ku ka trajtuar çështjen e apelimit të verdiktit të shkallës së parë në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Ajo ka theksuar se komunikimi me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) ka pësuar ndryshime të rëndësishme, duke nënvizuar se qëndrimet e saj për këtë parti mbeten të pandryshuara. Çitaku ka shpjeguar se ka pasur një varg vendimesh të marra në Komision, të cilat janë mbajtur në konfidencialitet.
“Nuk do të ishte e drejtë të them se nuk kemi një komunikim të ri me LVV-në. Ka pasur një vetëdije të re nga ana e eksponentëve të saj. Megjithatë, shumë informacione mbeten të rezervuara për publikun,” shprehet ajo.
Çitaku ka konfirmuar se financimi për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së është siguruar, duke e cilësuar këtë si një punë të kryer. Ajo ka theksuar se nuk mund të japë detaje për shumat, por ka përmendur se kërkesa e ekipit të mbrojtjes ishte rreth 150 mijë euro në muaj.
“Rregullorja e miratuar nga Ministria e Drejtësisë parashikonte një shumë më të vogël, por ne kemi marrë masat e nevojshme dhe vendimi është marrë. Jemi të kënaqur me këtë rezultat,” tha Çitaku.
Ajo gjithashtu ka falënderuar Aleancën për mbështetje të pakushtëzuar, duke theksuar se kjo mbështetje nuk është për PDK-në, por për një vlerë më të madhe që përfshin të gjithë ata që kanë kontribuar.
Çitaku ka shprehur se ende nuk ka pasur mundësi të takohet me ish-krerët e UÇK-së pas verdiktit, por ka premtuar se do të realizojë një takim të tillë shumë shpejt.