Rregullat e reja për veshjen në Komunën e Mitrovicës së Jugut duket se nuk vlejnë njësoj për të gjithë.
Ministrja Fitore Pacolli sot është paraqitur në komunë me një fustan të zi, të shkurtër dhe pa mëngë, ndonëse këto veshje ndalohen në njoftimin e vendosur në hyrje të objektit.
Sipas njoftimit, qytetarëve dhe vizitorëve u ndalohet hyrja me bluza pa mëngë, funde të shkurtra dhe pantallona të shkurtra.
Megjithatë, Pacolli është lejuar të hyjë në objekt dhe ka zhvilluar takim me kryetarin e komunës, Faton Peci.
Komuna, e drejtuar nga Faton Peci, i kishte vendosur këto rregulla disa muaj më parë, duke kërkuar që qytetarët dhe vizitorët të respektojnë kodin e veshjes.
“Ju lutemi të respektoni kodin e veshjes dhe dinjitetin e institucionit. Hyrja me veshje të papërshtatshme nuk do të lejohet”, thuhej në njoftim.
Ditë më parë, veshja e ministres Fitore Pacolli ishte bërë temë debati edhe pas kritikave nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
Kadrijaj kishte publikuar një fotografi të Pacollit gjatë një takimi në zyrë dhe kishte kritikuar veshjen e saj.
“Na duhet njerëz me integritet në shtet. Çka është kjo veshje në zyre të Ministres?”, kishte shkruar Kadrijaj.
Pacolli nuk kishte vonuar me reagimin. Ajo kishte publikuar një fotografi të saj në ashensor, e veshur me rroba sportive dhe me helmetë, pasi kishte marrë biçikletën.
Duke iu përgjigjur me ironi, Pacolli kishte shkruar: “Kjo a është garderobë e përshtatshme për Time Kadrijajn, eksperten e modës?”
