Frika në shtëpinë e influencerës: Dy hajdutë të maskuar shkaktojnë panik në Sevilje

Një ngjarje e frikshme ka tronditur influencerën dhe sipërmarrësin e njohur spanjoll Rocío Osorno, e cila përjetoi momente të tensionuara kur dy hajdutë të maskuar hynë në shtëpinë e saj në Sevilje, pikërisht në momentin kur ajo dhe familja ishin brenda.

Ngjarja është konfirmuar nga disa burime të besueshme në Spanjë, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e autorëve të këtij akti të dhunshëm. Hetimet janë në vazhdim dhe pritet të zbardhen detaje të reja.

Rocío Osorno, e cila ndodhej në katin e sipërm duke regjistruar përmbajtje për rrjetet sociale, vuri re se një dritare, e cila zakonisht ishte e mbyllur, ishte hapur. Ajo menjëherë kuptoi se diçka nuk shkonte dhe filloi të bërtiste për të paralajmëruar familjarët e saj për rrezikun.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga vetë influencerja, tregojnë dy persona të maskuar që kontrollojnë çdo cep të shtëpisë, duke kërkuar sende me vlerë. Sipas informacioneve të para, ata arritën të merrnin bizhuteri të çmuara para se të largoheshin.

Në videon e publikuar në rrjet, dëgjohen hajdutët duke komunikuar mes tyre, dhe në një moment, njëri prej tyre thotë në shqip: “Hajde o burrë se na *** nënën”, një shprehje që ka tërhequr vëmendjen e shumë përdoruesve të internetit.

Familja e Osornos njoftoi menjëherë autoritetet, duke kontaktuar numrin e emergjencës 112. Guardia Civil mbërriti në vendngjarje pas disa minutash, por hajdutët kishin arritur të largoheshin përmes dritares.

Fatmirësisht, nga ky incident nuk ka pasur të lënduar, por frika dhe paniku mbeten të pranishëm. Hetimet po kryhen nga Policia Gjyqësore e Guardia Civil në Mairena del Aljarafe, e cila po shqyrton nëse ky rast ka lidhje me disa vjedhje të tjera të ndodhura në të njëjtën natë në zonë.

Nga Rubrika