Pas dy ndeshjeve të para me Milanin, Niclas Fullkrug është bërë një emër i njohur për tifozët kuqezi. Ai ka shprehur se si ka përjetuar këtë kalim dhe se si është ndjerë në grupin e ri. “Ka qenë e lehtë të përshtatem, jam pritur shkëlqyeshëm. Me karakterin tim mendoj se mund të integrohem shumë mirë. Kam gjetur një grup të shëndetshëm, të bashkuar dhe energjik,” tha ai.
Sulmuesi gjerman ka zgjedhur me krenari fanellën me numrin 9, një simbol i rëndësishëm në historinë e futbollit. “Numri 9 për mua është sinonim i golave. Nuk e kam zgjedhur shpesh, vetëm i ri dhe me kombëtaren gjermane. E di rëndësinë që ka këtu dhe lojtarët e mëdhenj që e kanë mbajtur; shpresoj të jem në nivelin e tyre,” theksoi Fullkrug.
Debutimi i tij në “San Siro” ishte një moment i veçantë, sidomos pas fitores ndaj Cagliarit. “Luaja dy vite më parë me Dortmundin, si kundërshtar. Ta bësh me Milanin është më speciale. Shpresoja të shënoja në debutim, por e marrim këtë pikë dhe mendojmë për ndeshjen tjetër,” shpjegoi ai.
Fullkrug gjithashtu komentoi episodet e diskutueshme të ndeshjes, duke përmendur një moment të rëndësishëm. “A kishte kontakt me Ostigard? Ndjeva këmbën e kundërshtarit mbi timen, mendoja për penallti ose VAR. Kishim mundësi për të fituar, nuk mund t’ua hedhim fajin gjyqtarëve,” tha ai, duke u fokusuar në performancën e ekipit.
Ai e njeh mirë historinë dhe ambiciet e Milanit, duke theksuar se e ndjek klubin që nga finalja e Champions-it 2003. “E di ambicien e klubit. Sulmi ka lojtarë si Leao, Pulisic, Nkunku; shpresoj të sjell karakteristika të tjera dhe të mbush zonën,” theksoi Fullkrug, duke shprehur besimin në potencialin e tij.
Një nga sfidat e tij të ardhshme është të përshtatet në një sistem 4-3-3, nëse trajneri Allegri e zgjedh këtë modul. “Ai ka eksperiencë dhe mund ta përshtatë modulimin e lojës. Luajtja me tre përpara mund të jetë opsion; objektivi është vendi i katërt dhe Champions-i,” shpjegoi ai, duke treguar ambiciet e tij personale dhe të ekipit.
Rreth eksperiencës së tij në Angli, Fullkrug tha: “Dua të kthehem në nivelin tim te Werderi dhe Dortmundi. Te West Ham ishte ndryshim i madh; tani jam në formë dhe dua të hap një faqe të re,” duke shprehur dëshirën për të rikuperuar formën e tij më të mirë.
Frymëzimi i tij vjen nga legjendat gjermane që kanë luajtur në Itali, si Klose, Bierhoff dhe Voller. “Bierhoff tha që do të kem sukses këtu, nuk mund ta refuzoja Milanin,” përfundoi ai, duke treguar se sa shumë e vlerëson mundësinë për të luajtur për këtë klub të madh.