Deputeti Rrahman Rama nga PDK-ja ka theksuar se ka një gatishmëri të dukshme nga partitë e tjera për të kontribuar në procesin e reagimit ndaj verdiktit të Hagës, me qëllim që Kosova të dalë në një pozicion të favorshëm.
Rama theksoi se Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është një pronë ekskluzive e PDK-së, por një iniciativë që i përket të gjithë deputetëve të Kosovës.
“Ky ligj nuk është vetëm i PDK-së. Është një ligj që i takon të gjithëve. Ne po bëjmë thirrje për mbështetje nga të gjithë deputetët e Kosovës për ta votuar këtë ligj. PDK-ja nuk ka për qëllim të përfitojë nga kjo situatë”, deklaroi ai në një intervistë për Klan Kosova.
“Duke e parë situatën, kemi vënë re se ekziston një gatishmëri për të bërë gjithçka që është e mundur për të siguruar një rezultat pozitiv për Kosovën”, shtoi ai.
“Nuk po flasim vetëm për individët që janë përfshirë, por për një proces shumë të rëndësishëm që lidhet me të kaluarën tonë të lavdishme dhe me të ardhmen e brezave tanë”, përfundoi Rama.