Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u përball me një pyetje provokuese nga gazetarja Zhaklina Tataloviq, e cila e sfidoi atë pas njoftimit për largimin e tij nga posti i presidentit.
Gjatë një konference për media, Tataloviq e pyeti Vuçiqin për procesin e tij të “paketimit” për largimin nga Presidenca, duke e lidhur këtë me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Si po shkon procesi i paketimit? A do të merrni vetëm librat më 27 shtator nga Andriçev Venaci, apo do të merrni edhe ‘Çacilendin’, çadrat dhe gardhin që ka qëndruar këtu për më shumë se një vit e gjysmë, si dhe njerëzit me dosje kriminale që ju rrethojnë?”, e pyeti ajo.
Vuçiq, në përgjigjen e tij, shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë për “Çacilendin” dhe për ata që qëndrojnë pranë Presidencës, duke e kritikuar gazetaren dhe duke thënë se do të përpiqej të sillej “me mirësjellje”.
Kur u pyet për largimin e tij, ai tha se ishte duke paketuar të gjitha gjërat e tij personale nga zyra e presidentit.
“Si një njeri i ndershëm, që i ka shërbyer me besnikëri popullit të tij, po largohem nga posti i presidentit të Republikës,” theksoi ai.
Vuçiq gjithashtu e informoi gazetaren se ajo do ta shihte kabinetin presidencial të zbrazur, duke e krahasuar me pamjen e tij kur ishte plot me libra dhe fotografi familjare.
Megjithatë, ai nuk iu përgjigj pyetjes për fatin e “Çacilendit”, çadrave dhe protestuesve që qëndrojnë pranë Presidencës.