Web Analytics
E premte, 3 Tetor, 2025
2.8 C
Pristina

Heshtja e pafund: Si ndiheni në dhomën më të qetë në botë?

Në Minneapolis të Minnesotës, një dhomë e veçantë ka arritur të hyjë në librin e rekordeve Guinness si më e qeta në botë.

E njohur si “anechoic chamber”, kjo hapësirë ka regjistruar nivele zhurme deri në –24.9 decibel A-weighted (dBA), shumë më poshtë se pragu i dëgjimit njerëzor (0 dBA). Ajo ofron një përvojë unike që sfidon perceptimin tonë për tingullin dhe heshtjen.

Dizajni i kësaj dhome është i veçantë, duke thithur pothuajse çdo tingull dhe duke eliminuar jehonë. Muret e saj të izoluara dhe panele të mëdha fiberglasi krijojnë një ambient ku zhurmat nga jashtë nuk arrijnë të depërtojnë. Kjo bën që brenda saj, trupi i njeriut të bëhet burimi i vetëm i tingujve, duke krijuar një ndjesi të pazakontë për ata që e vizitojnë.

Steven Orfield, themeluesi i Orfield Laboratories, ka vënë në dukje se shumë vizitorë raportojnë se dëgjojnë tinguj që zakonisht nuk i perceptojnë. Rrahjet e zemrës, qarkullimi i gjakut dhe frymëmarrja bëhen të dukshme, duke krijuar një ndjesi të çuditshme. Disa individë fillojnë të ndihen të hutuar ose të marramenduar pas pak minutash, duke e bërë këtë eksperiencë të padurueshme për disa.

Efekti i heshtjes nuk është vetëm psikologjik. Shkencëtarët shpjegojnë se truri, i mësuar të procesojë vazhdimisht tingujt e ambientit, humb orientimin kur këta mungojnë. Kjo është arsyeja pse shumica e vizitorëve nuk arrijnë të qëndrojnë gjatë brenda. Rekordi më i gjatë i regjistruar është rreth 1 orë, por shumica dorëzohen pas disa minutash.

Ndërsa dhoma është një atraksion për kuriozitetin e saj, ajo ka edhe përdorime shkencore dhe industriale. Kompanitë e teknologjisë dhe prodhuesit e pajisjeve elektronike e përdorin atë për të testuar zhurmën e produkteve të tyre, nga telefonët celularë deri te motorët elektrikë. Kjo hapësirë shërben gjithashtu për studime mbi perceptimin e njeriut ndaj tingujve ekstremisht të ulët.

Për shumëkënd, ideja e një qetësie absolute është erëndësishme. Megjithatë, përvoja e atyre që e kanë provuar tregon se heshtja e plotë shpesh sjell tension dhe ndjesi të çuditshme. Dhomat si kjo e Orfield Laboratories janë një shembull i kufijve të perceptimit njerëzor dhe një kujtesë se edhe heshtja ka një kufi që trupi ynë e percepton si sfidë.

PROMO

Nga Rubrika