Web Analytics

Hyrja në fuqi e Rregullores së BQK-së – çfarë thanë nga Departamenti Amerikan i Shtetit e çfarë nga BE-ja?

Botuar nga: InfoKosova

Të enjten, më 1 shkurt hyri në fuqi Rregullorja për Operacionet me Paratë e Gatshme, përmes së cilës ndalohet ri-qarkullimi i kartëmonedhës 500 euroshe dhe theksohet se valuta e vetme zyrtare në Kosovë është euro.

E pas hyrjes në fuqi pati reagime të shumta, derisa QUINT-i ditë më parë kishte kërkuar shtyrjen e zbatimit të kësaj Rregullore.

Të enjten reagoi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

DASH tha se janë thellësisht të zhgënjyer dhe kundërshtojnë planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e qarkullimit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb.

“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, thuhet në një përgjigje të Departamentit amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se ka kërkuar nga autoritetet në Kosovë të shpjegojnë se çfarë problemi urgjent synon të zgjidhë kjo rregullore dhe nëse nevojitet urgjenca.

“Nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje të përshtatshme. Shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë se si do t’i paguajnë faturat apo do t’i marrin pensionet. Ky veprim nuk është gjithashtu në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe”, thuhet në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit duke nënvizuar se qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për të vlerësuar pasojat, për të dëgjuar perspektivat dhe për t’u konsultuar me të tjerët për një zgjidhje të zbatueshme.

“Pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq, gjatë ditës lidhur me këtë çështje u deklarua për media edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier në një konferencë për media ka thënë se ka ndarë shqetësimet e tij me kryeministrin Kurti në lidhje me vendimin e BQK-së për dinarin e Serbisë.

Hovenier tha se SHBA-ja është e shqetësuar se rregullorja, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në Kosovë, mund të nxisë tensione etnike në vend.

“Mendojmë që kjo çështje meriton konsideratë më të kujdesshme dhe diskutim me përfaqësuesit e BE-së në dialog. Jemi të shqetësuar nëse ka gjasa potenciale që gjendja të eskalojë në tension etnik në veri dhe të shndërrohet në problem për jetën e përditshme të serbëve”, tha ambasadori amerikan.

Hovenier nuk ka dashur që të japë detaje të takimit me kryeministrin, por e ka vlerësuar të ngutshëm veprimin për ndalimin e dinarit.

Ai ka kërkuar që të ketë kushte të mira jetësore për këdo.

“Nuk dua të flas për atë çfarë kam folur me Kurtin, për shqetësimet që i kemi ngritur dhe për mënyrën për të cilën besojmë se është e ngutshme dhe jo mandatare. Jemi këtu për t’u siguruar që ky vendim nuk do të ketë ndikim në jetën ditore të njerëzve. Gjithçka çka dëshirojmë është që të jetojmë në kushte të mira jetësore”, ka thënë ai.

Sipas tij rrezikohen tensione sidomos te njerëzit që varen nga ndihmat që vijnë prej Serbisë, derisa ka shprehur shpresën që Qeveria e Kosovës të gjejë zgjidhje tranzicioni.

Hovenier ka thënë se nuk e di se si do të tejkalohet frustrimi i qytetarëve, teksa ka marrë shembull pensionistët, për të cilët ka thënë se deri më tani kanë marrë pagesat mujore me dinar dhe tashmë ndryshimi i valutës për “benefitin social” nuk dihet se çfarë reagimi do të sjellë tek ta.

Që nga paslufta më 1999, Serbia ka përdorur dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë, përfshirë këtu edhe spitalet dhe shkollat.

Hovenier po të enjten është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërkaq, lidhur me Rregulloren e BQK-së kanë reaguar edhe nga Bashkimi Evropian.

Në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga BE-ja, thuhet se ata janë të shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

“Bashkimi Evropian merr parasysh rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave. BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia.

BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhej në deklaratën e BE.

Bashkimi Evropian tutje në këtë deklaratë ka insistuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe të gjendet një zgjidhje.

“Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre. BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e Bashkimit Evropian. /Telegrafi/

RRJETET SOCIALE

1,162,113FansaPëlqeje
27,988NdjekësitNdjek
989NdjekësitNdjek
406AbonentëAbonohu

Të FUNDIT