Pas përfundimit të “Ferma VIP 3”, Indri Shiroka ka ndarë me publikun disa nga momentet më të diskutueshme të përvojës së tij në këtë reality show, duke përfshirë marrëdhënien me Vanesën, akuzat për favorizim nga miqtë e tij Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj, si dhe jetën e tij pas daljes nga formati.
Aktori, i cili jeton në Romë, tregon se vendimi për t’u bashkuar me këtë format nuk ishte i lehtë. Ai nuk kishte qenë ndjekës i reality show-ve dhe e shihte atë si një botë të huaj nga kinemaja, por bisedat me produksionin e bindën ta provojnë si një sfidë personale.
Pasi doli nga “Ferma VIP”, Indri kupton se ka një diferencë të madhe mes asaj që përjeton një konkurrent brenda dhe mënyrës se si situatat perceptohen nga publiku. Ai e përshkruan këtë përvojë si një shok të madh.
“Për mua ishte një shok. Kam arritur edhe të mendoj: ‘Çfarë paskam bërë, nuk e paskam kuptuar asgjë aty brenda’”, shprehet ai.
Çfarë ndodhi realisht me Vanesën?
Një pjesë e madhe e intervistës i është kushtuar marrëdhënies me Vanesën, e cila u krijua gjatë qëndrimit në fermë. Indri pranon se kishte një pëlqim të vërtetë, por thekson se izolimi dhe bashkëjetesa intensive ndikuan në zhvillimin e raportit të tyre.
“Nëse do të isha jashtë nuk do të kisha bashkëjetuar me Vanesën dhe nuk do të kisha qenë në atë presion”, shprehet ai, duke e cilësuar historinë e tyre si një përzierje mes një afrimi spontan dhe ndikimit të formatit.
Kur u pyet nëse Vanesa ishte tipi i tij, aktori u përgjigj me sinqeritet: “Për shumë aspekte ishte tipi im dhe për shumë aspekte nuk ishte absolutisht tipi im.”
Sot, marrëdhënia mes tyre duket se është ndërprerë. Ndërsa përmendi ish-fermerët me të cilët vazhdon të ketë kontakte, ai tha shkurt: “Me Vanesën jo”.
Është gati për një lidhje të re?
Pavarësisht historisë së përfunduar në “Ferma VIP”, Indri nuk e sheh veten të mbyllur ndaj dashurisë. Ai është i hapur për një lidhje, duke theksuar se vetmia ka shumë gjëra të bukura, por pas një periudhe të mërzitshme.
“Unë jam i hapur për një lidhje, absolutisht, sepse vetmia ka shumë gjëra tepër të bukura, por pas një periudhe kohe të mërzit”, ka treguar aktori.
Megjithatë, ai thekson se nuk e mendon një marrëdhënie në distancë, për shkak të djalit të tij, për të cilin dëshiron të jetë një baba i pranishëm.
U favorizua nga Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj?
Miqësia e tij me Arbana Osmanin dhe Eduart Grishajn ka shkaktuar diskutime të shumta. Indri mohon se kjo marrëdhënie i ka siguruar trajtim të privilegjuar, duke theksuar se Arbana dhe opinionistët nuk e kanë kursyer gjatë spektaklit.
Ai mendon se njohja e mëparshme me ta mund ta ketë penalizuar në perceptimin e publikut, për shkak të dyshimeve për favorizim.
Romiri “aktori më i mirë”, Moza dhe Sara kërkonin kamerat
Indri gjithashtu ka folur për ish-konkurrentët, duke përmendur Romir Zallën si personin më “në rol” gjatë 24 orëve. Ai e përshkruan Romirin si një aktor të shkëlqyer.
Kur iu kërkua të zgjidhte ata që kërkonin më shumë vëmendjen e kamerave, ai përmendi Mozën dhe Sarën.
Thashethemi me Klevisën
Mes historive që e kanë habitur më shumë pas daljes është edhe ajo për një afrim të mundshëm me Klevisën. Indri e mohon këtë version, duke thënë se nuk ka ndjerë tërheqje fizike ndaj saj.
Pas eksperiencës në “Ferma VIP”, ai ka marrë një ekspozim më të madh publik dhe pranon se ka marrë më shumë mesazhe nga vajzat.
“Vazhdojnë të më shkruajnë dhe nuk arrij ta kuptoj pse. Nuk e di çfarë shohin tek unë, që unë nuk e shoh”, ka thënë Indri.
Megjithëse eksperienca e tij në reality show u shoqërua me debate dhe romancë, ai e sheh qëndrimin e tij aty si një sfidë personale të përfunduar me sukses, duke i vendosur vetes “notën 10” për mënyrën se si e përballoi izolimin.