“Jemi bashkë” – Reagimi i Yll Limanit për Zvërnecin po shpërndahet me të madhe në rrjet

Këngëtari i njohur Yll Limani ka reaguar publikisht për zhvillimet e fundit që lidhen me Zvërnecin, duke ndarë një mesazh që ka tërhequr vëmendjen dhe mbështetjen e shumë ndjekësve në rrjetet sociale.

Përmes një postimi në InstaStory, artisti ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me debatet dhe shqetësimet që kanë lindur së fundmi, duke bërë thirrje për më shumë dialog, transparencë dhe respekt ndaj komunitetit lokal.

Në mesazhin e tij, Ylli theksoi se përpara projekteve dhe planeve të zhvillimit, duhet të dëgjohet zëri i njerëzve që kanë lidhje të hershme me atë vend dhe që e konsiderojnë pjesë të identitetit të tyre.

“Po mendoj që përpara se të flasim për projekte, plane e shifra, duhet t’i dëgjojmë njerëzit që e kanë dashur atë vend përpara se ai të bëhej lajm”, shkroi ai.

Artisti vuri theksin edhe te rëndësia e ruajtjes së natyrës, historisë dhe kujtesës kolektive, duke nënvizuar se zhvillimi ka vlerë vetëm atëherë kur arrin të bashkëjetojë me këto elemente.

Sipas tij, institucionet duhet të tregohen sa më transparente me qytetarët, veçanërisht kur bëhet fjalë për projekte që prekin zona me rëndësi të veçantë për komunitetin.

“Sa më shumë informim, sa më shumë dialog dhe sa më shumë qartësi të ketë, aq më pak hapësirë mbetet për mosbesim dhe përplasje”, u shpreh këngëtari.

Në fund të mesazhit të tij, Ylli përcolli edhe një thirrje për unitet me fjalët: “Jemi bashkë”.

Reagimi i artistit është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ndërsa shumë ndjekës kanë vlerësuar faktin që ai ka zgjedhur të flasë për një çështje që ka ngjallur interes dhe debat në opinionin publik.

Nga Rubrika