Jonida Maliqi zbulon ndjenjat për Alessio Alian: “Ai më rikthen në fëmijën që kam brenda”

Jonida Maliqi ka ndarë hapur mendimet e saj për lidhjen me Alessio Alian, ish-banorin e njohur të “Big Brother VIP 5”, duke zbuluar detaje interesante për dinamikën e marrëdhënies së tyre dhe emocionet që ndjen për të.

Gjatë një interviste në “Live From Tirana”, këngëtarja theksoi rëndësinë e transparencës në marrëdhënie. Të dy ata janë prindër të divorcuar dhe kanë lënë pas histori të vështira, ndërsa ish-partnerët e tyre gjithashtu kanë vazhduar jetën e tyre.

Jonida pranoi se distanca ka sjellë sfida në marrëdhënien e tyre. Ajo përmendi se ka pasur momente të bukura ribashkimi, por gjithashtu ka përjetuar periudha të vështira me largësi dhe mosbesim. Sidoqoftë, ajo theksoi se ajo që ka më shumë rëndësi është ndjenja e saj në këtë marrëdhënie.

“Alessio hera-herës më kthen fëmijën që kam brenda dhe është gjëja më e bukur në botë”, shprehet Jonida.

Këngëtarja nuk hezitoi të fliste për ndjenjat e saj, duke pranuar se e do Alessio-n. Megjithatë, ajo preferon të mbajë një qasje të kujdesshme ndaj deklaratave publike, për të mbrojtur fëmijët dhe familjet e tyre nga spekulimet e mediave.

Gjatë bisedës, ajo gjithashtu ndau mendimet e saj për një kapitull të ri të jetës pas të 40-ave. Sipas Jonidës, me kalimin e viteve, ajo ka mësuar të dëgjojë më shumë veten dhe të japë më pak rëndësi mendimeve të të tjerëve.

“Mendoj që çdo individ pas të dyzetave fillon dhe reflekton më shumë për veten. Fillon e do veten më shumë dhe fillon të marrë më pak në konsideratë mendimin e të tjerëve”, tha ajo.

Për Jonidën, përvojat dhe momentet e vështira e kanë ndihmuar të kuptojë se çfarë ka vërtet rëndësi në jetë. Ajo ka vendosur të jetojë sipas dëshirave të saj dhe t’i kushtojë energjinë vetëm atyre që e meritojnë.

Nga Rubrika