Konjufca: Sulmi në Banjskë, një akt terrorist i mbështetur nga Beogradi

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur kritika të ashpra ndaj raportit të UNMIK-ut, duke e cilësuar atë si të njëanshëm dhe të mbështetur në propagandën serbe.

Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku po shqyrtohen zhvillimet në Kosovë, Konjufca theksoi përparimet e vendit në fushat e demokracisë, luftës ndaj korrupsionit dhe forcimit të sundimit të ligjit.

Ai përmendi zgjedhjet parlamentare të qershorit, konsolidimin e institucioneve dhe emërimin e presidentit, duke theksuar se këto procese dëshmojnë stabilitetin e sistemit demokratik të Kosovës.

“Pranoj raportin e Përfaqësuesit Special, por ai ofron një pasqyrë të ngushtë të zhvillimeve politike, duke lënë jashtë shumë aspekte të rëndësishme”, tha Konjufca.

Ministri theksoi se zgjedhjet e qershorit ishin të lira dhe demokratike, duke iu referuar vlerësimit të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili i monitoroi ato.

Pas konsolidimit të institucioneve, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë me angazhimin për zhvillimin socio-ekonomik dhe përmirësimin e sigurisë.

Situata në veri dhe strukturat e mbështetura nga Serbia

Duke folur për situatën në veri, Konjufca theksoi se masat e Qeverisë për promovimin e paqes dhe sigurisë kanë dhënë rezultate pozitive.

Ai nënvizoi se mbyllja e strukturave ilegale të operuara nga Serbia është një hap i rëndësishëm për forcimin e institucioneve demokratike dhe për garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

“Mbyllja e këtyre strukturave do të sigurojë një ambient më të sigurt dhe të drejtë për çdo bashkësi etnike”, tha ai, duke theksuar angazhimin e Policisë së Kosovës për ruajtjen e rendit.

Konjufca gjithashtu përmendi hapjen e zyrave për çështje kadastrale dhe regjistrimin e bizneseve në komunat veriore, si dhe investimet në infrastrukturë për të përmirësuar jetesën e qytetarëve.

Kritika për raportimin e sulmit në Banjskë

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka shprehur shqetësim të veçantë për mënyrën se si raporti i UNMIK-ut trajton situatën e sigurisë, duke përfshirë sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023.

Ai e kundërshtoi përshkrimin e këtij sulmi si një “ngjarje e dhunshme”, duke e quajtur atë një akt terrorist të organizuar nga Beogradi.

“Është e papranueshme që shumë nga rastet e përmendura në raportin e UNMIK-ut mbështeten në propagandën serbe. Sulmi në Banjskë duhet të trajtohet siç është, një akt terrorist”, shprehu Konjufca.

Ministri kritikoi gjithashtu raportimin e 92 rasteve nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke theksuar se ato janë përdorur për qëllime mediatike dhe diplomatike pa prova të qarta.

Ai theksoi se disa raste përmbajnë dezinformata dhe se raporti i UNMIK-ut nuk reflekton realitetin e situatës në terren.

Konjufca gjithashtu kritikoi trajtimin e incidenteve në objektet fetare, duke thënë se raporti i UNMIK-ut u kushton atyre rëndësi joproporcionale.

“Policia e Kosovës po heton këto incidente, por nuk ka prova që ato janë kryer nga shqiptarët apo se kanë motive etnike”, përfundoi ai, duke bërë thirrje për një qasje më të balancuar nga ana e UNMIK-ut.

Nga Rubrika