Kosova në rrugën drejt BE-së: Kurti kërkon statusin e vendit kandidat

Kryeministri Albin Kurti e ka pritur ambasadorin Dirk Schuebel, përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Kosovë, në një takim ku u diskutua raporti për vendin 2026 nga Komisioni Evropian.

Pas këtij takimi, Kurti organizoi një konferencë për media, ku theksoi rëndësinë e procesit të integrimit evropian dhe reformat e nevojshme për Kosovën.

Ai nënvizoi se pas një periudhe të ngarkuar politike, vendi ka arritur të krijojë institucione të qëndrueshme dhe ka intensifikuar përpjekjet për reformat që lidhen me integrimin në BE, veçanërisht ato të Planit të Rritjes.

“Pas një periudhe të ngjeshur politike, e cila përkon me pjesën më të madhe të periudhës që mbulon ky raport, më 6 tetor zgjodhëm presidentin e Republikës, duke i dhënë fund serisë së zgjedhjeve të panevojshme. Tani, me institucione të stabilizuara, kemi përshpejtuar dinamikën e reformave për integrim në Bashkimin Evropian,” tha Kurti.

Kreu i Qeverisë theksoi se anëtarësimi në BE mbetet një prioritet strategjik për Kosovën, duke theksuar se ky proces gëzon mbështetje të gjerë nga qytetarët dhe konsensus ndërpartiak.

“Integrimi në BE është prioriteti ynë strategjik afatgjatë, siç nënvizohet në raport. Ky përkushtim ka mbështetje të lartë nga popullsia dhe konsensus të gjerë ndërpartiak,” shprehu ai.

Megjithatë, Kurti shprehu shqetësimin se pozita aktuale e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk reflekton progresin e arritur deri tani.

Ai kërkoi që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe të hapen negociatat për anëtarësim sa më shpejt që të jetë e mundur. “Kosova meriton të marrë statusin e shtetit kandidat dhe të fillojë negociatat sa më shpejt,” tha ai.

Kurti rikujtoi se më 15 dhjetor të këtij viti do të kalojnë katër vjet nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në Pragë të Çekisë.

Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka ende statusin e vendit kandidat.

“Përkundër përpjekjeve, Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat,” përfundoi ai.

Nga Rubrika