Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje ka marrë pjesë në panelin e diskutimit mbi sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Ballkani Perëndimor, të organizuar nga Instituti i Politikave ‘’Chatham House’’.
Gjatë fjalimit të tij në këtë panel ka folur për ndikimin që ka Kremilini në Serbi dhe sa përbën kërcënim kjo për Ballkanin Perëndimor.
Kurti u shpreh se 40% e deputetëve serbë janë anëtarë të grupit të miqësisë me Rusinë.
Ai u shpreh se gjatë dekadës së fundit, më shumë se 3000 njerëz janë trajnuar nga “Qendra Humanitare” ruso-serbe në Nish.
Kurti gjithashtu tha se qendra rajonale e Sputnik ndodhet në Beograd, derisa ka shtuar se shumë biznese të Rusisë po krijohen në Serbi.
Kryeministri në këtë fjalim tha se qytetarët e Serbisë besojnë se marrin më shumë mbështetje financiare nga Rusia sesa nga BE.
E një mbështetje ndaj kësaj deklarate të Kurtit e kanë bërë Jakub Bielamowicz, analist i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re dhe Jasmin Mujanoviq, analisti boshnjak.
Mujanoviq ka shkruar në “X” se SHBA dhe BE po e mbajnë sanksione ndaj Qeverisë së Kosovës, por jo ndaj Qeverisë që është satelit rus jashtë Bjellorusisë.
“Imagjinoni që thjesht t’ia tregoni këtë video dikujt që nuk ndjek politikën e Ballkanit dhe më pas duhet të shtojë “SHBA dhe BE po mbajnë sanksione kundër qeverisë së djalit që shpjegon të gjitha këto, por jo qeverisë që është regjimi më i rëndësishëm satelitor rus jashtë Bjellorusisë. ”, ka shkruar Mujanoviq. /Telegrafi/