Kryeministri Albin Kurti ka shprehur mendimin e tij mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka caktuar datën 6 tetor si afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Ai theksoi se çdo subjekt politik ka përgjegjësi në përputhje me votat që ka marrë, duke e quajtur të panevojshme organizimin e zgjedhjeve të reja.
Kurti theksoi se nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit, vendi do të detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje, por ai beson se rezultatet do të ishin të ngjashme me ato të mëparshme.
“Qytetarët kanë përcaktuar qartë përgjegjësitë e secilit subjekt në Kuvend. Askush nuk ka marrë përgjegjësi absolute, kështu që secili ka përgjegjësi në përputhje me peshën e votës së tyre. Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, afati për të zgjedhur presidentin është deri më 6 tetor,” tha ai.
Kurti vazhdoi të shpjegojë se nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit, do të ketë zgjedhje të katërta brenda dy viteve, duke theksuar se zgjedhjet e reja janë të panevojshme, pasi vendi tashmë ka një kryetar Kuvendi dhe një qeveri të zgjedhur.
“Ky Kuvend ka kapacitetin për të zgjedhur presidentin e vendit. Duhet të kuptojmë se në Kosovë nuk kemi zgjedhje presidenciale, por zgjedhje për Kuvend dhe qeveri. Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për të konstituuar një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë president?” pyeti ai.
Kurti theksoi se nuk duhet të shkojmë vazhdimisht në zgjedhje vetëm për të konstatua rezultate të njëjta, duke sugjeruar se është koha për të vepruar dhe për të zgjedhur një president të ri.