Labinot Rexha ka ndarë detaje tronditëse rreth tensioneve mes Jozefin Markut dhe Eduard Kuçit, duke zbuluar se pas incidentit ai kishte tentuar të kontaktonte babanë e Kuçit për të sqaruar situatën.
Gjatë një interviste në emisionin ‘Shqipëria Live’, të moderuar nga Sidorela Gjoni, këngëtari theksoi se përpjekjet e tij për të komunikuar me babanë e Eduardit ishin të pasuksesshme. Ai tregoi se babai i Kuçit refuzoi të fliste për ngjarjen e ndodhur.
“Mora përsipër të flisja edhe me babanë e Edit, por ai nuk donte të komentonte. Më tha: ‘Të lutem, për këtë çështje mos më telefono më.’ Ata nuk e pranojnë, por unë i lutem Zotit që kjo të jetë hera e fundit, sepse e keqja vjen shumë shpejt,” shprehet Rexha.
Këngëtari vazhdoi duke shpjeguar se, megjithëse ai e sheh Jozin si një djalë të mirë, situata e tensionuar ka prekur thellë familjen e Eduardit. Ai shpreson për një pajtim të shpejtë mes palëve të përfshira.
“Nuk mendoj se Jozi është djalë i keq, por edhe Edi, nëse qëndron dy minuta me të, të thotë fjalë të mira. Jemi bërë shokë dhe ai të jep shpirtin e zemrën,” shtoi ai, duke theksuar lidhjet e tij me të dyja palët.
Rexha gjithashtu ndau një ngjarje të fundit, ku ai kishte postuar një Insta-Story duke treguar se kishte marrë kërcënime nga disa individë. Ai shpjegoi se këto kërcënime lidhen me një mosmarrëveshje të vjetër për pronësinë.
“Është një problem i hershëm që lidhet me pronësinë me një komshi. Bëhet fjalë për rreth 2-3 metër katrorë. Sa herë mbeten pa para, ata më provokojnë mua,” tha ai, duke shpjeguar se situata ka shkaktuar tensione të mëdha.
“Më shanë mua dhe nënën time me fjalë banale, të ulëta dhe të turpshme. Madje, njëri prej vëllezërve të tyre më goditi pak. Unë telefonova policinë, duke ruajtur maturinë, qetësinë dhe gjakftohtësinë,” përfundoi këngëtari, duke treguar se si ai ka menaxhuar situatën e tensionuar.