Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka cilësuar kthimin e Jakup Krasniqit në Hagë si një ngjarje të rëndë dhe të dhimbshme për të gjithë shqiptarët.
Limaj, në një prononcim për Politiko, theksoi se ky moment është i dhimbshëm jo vetëm për familjen e Krasniqit, por për çdo patriot shqiptar, duke e quajtur këtë situatë si të turpshme për shtetin e Kosovës.
Ai shprehu shqetësimin se ky rast dëshmon se sa pak seriozisht e perceptojnë të tjerët shtetin e Kosovës dhe se si trajtohen institucionet e tij nga jashtë.
“Kjo është një situatë shumë e rëndë dhe e dhimbshme, jo vetëm për ata që e njohin Krasniqin, por për çdo shqiptar që ndjen patriotizëm. Është një turp për shtetin tonë”, tha Limaj.
Limaj gjithashtu kritikoi mungesën e besimit nga ana e Gjykatës Speciale në institucionet e Kosovës, duke shprehur shqetësimin se ato nuk besojnë se mund të menaxhojnë situatën e të paraburgosurve në vendin e tyre.
Ai theksoi se qasja e institucioneve të Kosovës është e papranueshme, duke e quajtur heshtjen e tyre si një dështim për të reaguar ndaj situatave të tilla.
“Një shtet që pretendohet të jetë normal nuk do të lejonte një sjellje të tillë. Duhet të marrim përgjegjësi për situatat që ndodhin në vendin tonë”, theksoi Limaj.
Ai përfundoi duke thënë se sot, institucionet tona janë të pezulluara dhe qytetarët janë të detyruar të reagojnë vetëm përmes deklaratave dhe shkrimeve publike, duke u bërë kështu spektatorë në një situatë të tillë të rëndë.