E enjte, 20 Shkurt, 2025
-6.8 C
Pristina

Mesazhe të fuqishme nga presidentët amerikanë për Pavarësinë e Kosovës

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 16.02.2025, ka pranuar letër urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Vitin e kaluar, ajo kishte pranuar urime për nder të Ditës së Pavarësisë edhe nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Joe Biden. Edhe pse të dy liderët amerikanë shprehin mbështetje për Kosovën, mesazhet e tyre kanë dallime të theksuara që reflektjnë stilin dhe prioritetet e tyre politike.

Mesazhi i Biden dhe Trump-it, përveç se në formë, dallon edhe në përmbajtje. Biden, për shembull, kishte theksuar rëndësinë e një Kosove multietnike, duke e parë këtë si një shenjë e stabilitetit dhe harmonisë në rajon. Ai kishte shprehur mbështetje për dialogun e ndërmjetësuar nga BE që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila ishte prioritet kryesor i administratës së tij.

Ndryshe nga Biden, Trump në urimin e tij theksoi mbështetje për përkushtimin e Kosovës për ndërtimin e një shoqërie demokratike, pa përmendur nevojën për një Kosovë multietnike. Në vend të kësaj, ai u fokusua në lidhjet ekonomike dhe mundësitë për investime, duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën”.

Ky dallim reflekon qasjen e ndryshme të dy presidentëve për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Biden kishte inkurajuar lidershipin e Kosovës të përmbushte obligimet e saj, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara. Ndërsa Trump, përkundrazi, nuk e përmendi dialogun apo ndonjë detyrim konkret në urimin e tij, diçka që mund të interpretohet si një dallim të qartë në qasje.

Në kontekstin e lidhjeve të forta mes dy vendeve, Trump kishte shprehur dëshirën për të ndihmuar Kosovën në ndërtimin e një rajoni më të begatë dhe më të sigurt. Kjo tregon përpjekjet e tij për të fokusuar politikën e jashtme amerikane në bashkëpunimin ekonomik, në vend të theksimit të zgjidhjeve diplomatike për problemet e rajonit.

Një tjetër veçori e rëndësishme e mesazheve të dy presidentëve është mbështetja e tyre për integrimin euroatlantik të Kosovës. Të dy liderët janë shprehur pro përpjekjeve të Kosovës për t’u integruar më tej në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit dhe paqes në rajon.

Gjithashtu, mesazhet e Trump dhe Biden theksuan mbështetje të fuqishme për Kosovën në lidhje me situatën e saj me Ukrainën, sidomos përballë agresionit të Rusisë. Kjo njëherë mban të freskët qëllimin e përbashkët të SHBA-së dhe Kosovës për të mbështetur lirinë dhe demokracinë në të gjithë rajonin. Presidentja Osmani, përmes këtyre urimeve dhe mesazheve, është duke forcuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Letra e plotë e Trump më 2025:

E nderuara zonja Presidente,

Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju lutem pranoni urimet e mia më të përzemërta për ju dhe popullin kosovar ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Rrugëtimi i Kosovës si komb sovran është shënuar me qëndrueshmëri dhe vendosmëri.

Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku. Lidhjet midis njerëzve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato lidhje, duke përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë prosperitet më të madh për të dy kombet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, pasi ajo forcon institucionet demokratike dhe promovon rritjen ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi.

Shtetet e Bashkuara mezi presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin e ardhshëm. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej me komunitetin euroatlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë.

Përvjetori i pavarësisë së Kosovës është një kohë për të nderuar arritjet e kaluara, si dhe për të parë drejt një të ardhmeje më të ndritshme dhe lidhjeve më të thella ndërmjet kombeve tona.

Dërgoj urimet e mia më të mira për popullin e Kosovës në këtë ditë feste.

Letra e plotë e Biden më 2024:

E nderuara zonja Presidente:

Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira për ju dhe popullin e Kosovës teksa nderoni ditën tuaj të pavarësisë më 17 shkurt.

Kosova dhe SHBA-ja ndajnë një miqësi të qëndrueshme dhe partneritet – të përforcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, të sigurt dhe të suksesshëm. SHBA-ja fuqishëm e mbështet një Kosovë multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euro-atlantike. Ne po ashtu vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet e dialogut të lehtësuara nga BE-ja për të arritur një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse me Serbinë – një hap i rëndësishëm përpara njohjes reciproke në fund të procesit. Bashkë me vendet e rajonit dhe botës, SHBA-ja e inkurajon lidershipin e Kosovës që t’i përmbushë obligimet e tij, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.

Në vitin e ardhshëm, pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Gjithashtu, pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht qëllimin e Kosovës për integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë, përfshirë duke qëndruar së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë.

PROMO

Nga Rubrika